Ilire Vinça: “Natën ma”, reflektim mbi sinqeritetin e marrëdhënieve njerëzore

schedule17:04 - 20 Mars, 2019

schedule 17:04 - 20 Mars, 2019

Aktorja e njohur kosovare Ilire Vinça, në një interviste për ABC News rrëfen emocionet e jetuara në realizimin e personazhit të Telmës në shfaqjen  “Natën ma”, me regji të Ema Andreas. Aktorja flet edhe për realizimin e shfaqjes në Amerikë me trupën e teatrit “Oda “ si dhe për 2 filma që ka në proces.

Ilire Vinça rivjen me rolin e Telmës gruas 50-vjeçare, e cila nuk kishte qenë e kënaqur me jetën e saj, në një martesë ku dashurinë nuk e kishte zënë kurrë në gojë. Për burrin e saj, as pas vdekjes së tij nuk ndjen dhimbje.

Por filli kryesor i shfaqjes “Natën ma” me regji të Ema Andreas është marrëdhënia nënë–bijë. Vinça na thotë se për skalitjen e këtij roli ka shfrytëzuar sa imagjinatën edhe realitetin, pasi ajo është nënë e tre vajzave.

Aktorja thotë se spektatori nga kjo shfaqje duhet të dalë me një reflektim që është mbi sinqeritetin. Ilire Vinça ka luajtur sëbashku edhe në filmin e shkurtër “Gardhi” fitues çmimesh ndërkombëtare. Emocionet në këtë film i kishte të dyfishta pasi interpretonte krah së bijës.

Ndërkohë që pas Tiranës ajo do të interpretojë në Amerikë sëbashku me trupën e Teatrit “Oda”, një shfaqje e cila është e ndërtuar mbi mikëpritjen e izraelitëve në Shqipëri.

Kinemaja është një pikë e fortë e karrierës së saj si aktore, ku ajo  na thotë se është pjesë në dy filma. Drama e skenaristes amerikane Marsha Norman “Natën ma” me regji te  Ema Andreas do të jetë nga enjtja deri me 6 Maj në skenën e Teatrit të Metropolit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!