Ilir Daja dëshira e Partizanit, gjyqi dhe një kusht janë udhëkryqet

schedule12:32 - 9 Qershor, 2020

schedule 12:32 - 9 Qershor, 2020

Me gjasë, e ka të qartë se gjendja nuk mund të shpëtohet. Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, ndoqi dështimin e radhës së skuadrës, dhe prej tij pritet një vendim për të ardhmen e trajnerit Adolfo Sormani.

Edhe pse burime pranë numrit 1 të të kuqve theksojnë se ai vazhdon të ketë respekt për italianin, dhe ta mbështesë publikisht, nuk e përjashton mundësinë që të detyrohet ta shkarkojë. Pa rezultate, asnjë trajner nuk mbijeton dot.

Nëse merret ky vendim, në krye të ekipit mund të vendoset Dritan Mehmeti, ish-ndihmësi i Skënder Gegës dhe Franko Lerdës. Ekziston edhe mundësia që të rikthehet në stol Kalari, deri në gjetjen e një alternative.

Burime pranë klubit pohojnë se Demi është i bindur që sezoni është i dështuar dhe se nuk kapet as Europa, ndaj po e pret me qetësi fundin e tij, kur pritet të ketë spastrime në ekip, me largim të lojtarëve të marrë verën e kaluar, apo edhe të ndonjë veterani.

Tifozët janë shprehur të zemëruar në rrjetet sociale, duke akuzuar Sormanin, lojtarët dhe sidomos drejtorin Olsi Rama, si shkaktarë të dështimit. Një thirrje publike ka bërë ish-sulmuesi i njohur i të kuqve, Edmond Dosti, pjesë e skuadrës kampione të vitit 1993, që fton Demin ta shkarkojë italianin.

Dëshira e madhe e presidentit është që të synohet Ilir Daja, trajneri i sotëm i Skënderbeut, dhe kjo do të ishte e mundshme nëse korçarët konfirmoheshin si të dënuar nga UEFA, edhe në Gjykatën Federale të Zvicrës.

Gjithsesi, njerëz pranë Dajës theksojnë se ky i fundit dëshiron autonomi të plotë në marrjen e vendimeve teknike, diçka për të cilën nuk është i sigurt se do të ndodhë. Partizani i Sormanit ka pësuar 5 humbje radhazi dhe janë të shumtë ata që presin reagim të menjëhershëm të ekipit dhe klubit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!