Nga një emigrant i frikësuar në Greqi, që nuk dilte nga shtëpia nga frika se mos e kapnin pa dokumenta, në një emër që sot performon në skenat më të rëndësishme europiane dhe bashkëpunon me artistë botërorë. Historia e balerinit dhe koreografit Blenard Azizaj duket si skenar filmi, por është rrugëtimi i vërtetë i një artisti që zgjodhi të mos dorëzohej.
I ftuar në ABC e Mëngjesit, Azizaj rrëfen se gjithçka nisi vonë, në një moshë kur shumëkush mendon se ëndrrat artistike janë të paarritshme. Në moshën 22-vjeçare nisi baletin, ndërsa më herët kishte lënë Shqipërinë për emigrim. Fillimisht në Greqi, më pas në Gjermani, rruga e tij drejt artit nuk ishte aspak e lehtë.
Një nga momentet më të forta të jetës së tij lidhet me një natë të zakonshme në një ishull grek, kur, si emigrant pa dokumenta, vendosi të dilte pas shumë kohësh izolimi. Në një bar, sapo nisi një këngë e idhullit të tij, Michael Jackson, Blenardi hipi mbi bar dhe realizoi, siç e quan vetë, “solon më të bukur të jetës”. Ishte pikërisht ai moment që ndryshoi gjithçka: një mësuese kërcimi e pa dhe e ftoi në shkollë. Kështu nisi historia e dashurisë së tij me baletin.
Sot, ai rikthehet në Shqipëri me shfaqjen “NO-W-HERE”, një performancë baleti kushtuar emigrimit, largimit dhe kërkimit të identitetit. E ndërtuar bashkë me partneren e tij në skenë, Elena Cattardico, vepra sjell përmes trupit, tingullit dhe dritës emocionet e një bote ku njerëzit largohen jo vetëm nga vendi, por shpesh edhe nga vetja.
Nën tingujt muzikorë të kompozitorit Tomor Kuçi, shfaqja “NO-Ë-HERE” solli në skenën e “Hangart” një univers emocional ku kujtesa, zhvendosja dhe mbijetesa shndërrohen në gjuhë lëvizjeje. Një trup që bëhet arkiv i plagëve, i mallëve dhe i ëndrrave të pambërritura.
“Çfarë na mban lidhur? Kujtimet, fëmijëria apo ajo që kemi lënë pas?” – është pyetja që përshkon gjithë performancën, e cila vjen si reflektim mbi një plagë të përbashkët shqiptare: emigrimin.
Por rrugëtimi i Blenardit nuk ndalet këtu. Ai ka qenë pjesë edhe e projektit “Kafana”, një vepër e artistes legjendare të performancës Marina Abramović, në kuadër të projektit të famshëm “Balkan Erotic Epic”, prezantuar në qytete si Manchester, Berlin dhe Barcelonë. Megjithatë, përtej skenës dhe suksesit ndërkombëtar, artisti pranon se dhimbja më e madhe mbetet humbja e nënës. Me emocione, ai falënderon familjen për sakrificat dhe dashurinë pa kushte që e ka mbajtur në këmbë në momentet më të vështira./abcnews.al


