TIRANË– Shqipëria do të integrohet në Bashkimin Europian pavarësisht sfidave.
Kryeministri Edi Rama Rama theksoi se nuk ka asnjë plan B, përveç rrugës së integrimit.
Gjatë firmosjes së marrëveshjes për linjën e re të financimit prej 20 milionë eurosh me Bankën Europiane të Investimeve për të mbështetur bizneset e vogla e të mesme shqiptare në inovacion, kreu i qeverisë u ndal te synimi i palëkundur i vendit tonë për t’u bërë pjesë e BE.
“Pse vazhdojmë të këmbëngulim, të presim me padurim të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian?. Kam një përgjigje shumë të thjeshtë; sepse nuk ka alternativë përkundrejt lirisë, lirisë individuale dhe shtetit të së drejtës, çka nënkupton, barazisë përpara ligjit. Shqipëria kurrë nuk ka pasur një plan B. Shqipëria kurrë nuk i ka hedhur sytë në një drejtim tjetër sepse ne e dimë prej historisë sonë, e kemi mësuar në kurriz që çdo plan i mundshëm B apo C, është plan pa liri individuale dhe pa barazi përpara ligjit”, tha ai.
Drejtoresha e Bankës Europiane të Investimeve Nadia Calvino tha se do të shtohen financimet për ekonominë shqiptare me 60% si një shtysë e rëndësishme për të arritur standardet për integrimin në Bashkimin Europian.
“Kemi investuar tashmë 1 miliard euro deri më tani në Shqipëri me një ndikim shumë të fortë në fusha të cilat janë pranë jetës së qytetarëve si; transporti, energjia, uji dhe zhvillimi i teknologjive dixhitale .Aktualisht po mbështesim modernizimin e hekurudhave shqiptare,t ë rrjetit hekurudhor, gjithashtu sistemin e ujësjellësit në Tiranë, infrastrukturën urbane në Shqipërinë e Veriut për të përmirësuar kushtet e jetesës, nderlidhshmërinë rajonale dhe turizmin dhe në 2026-ën synojmë të rrisim financimin tonë në këtë vend me 60%. Siç e thashë një moment më parë kjo tregon vendosmërinë e palëkundur e angazhimin e Bankës Evopiane të Investimeve për të mbështetur rrugëtimin shqiptar drejt Bashkimit Evopian”, tha jo.
Financimi i Bankës Europiane e Investimeve pritet të krijojë më shumë mundësi financimi për bizneset shqiptare, veçanërisht për projektet që fokusohen në teknologji, transformim digjital dhe ekonomi të gjelbër./abcnews.al


