Identifikohet grabitësi i parave në Rinas që humbi jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Sipas informacioneve të para të marra nga ABC News, mësohet se viktima është Admir Murataj, i konsideruar si truri i tre grabitjeve të tjera të mëparshme te bujshme të parave të bankave. Ai është identifikuar në Institutin e Mjekësisë ligjore.
Ndërkohë ABC News ka mësuar se janë dërguar në Greqi kampionet e ADN-së të viktimës, Admir Murataj, pasi viktima rezulton i regjistruar në shtetin helen me disa emra të ndryshëm, nga ku kishte kryer edhe shumë grabitje me armë zjarri.
Ndërkohë janë marrë pyetje në policinë e Tiranës edhe familjarë të Admir Murataj si edhe të personave të tjerë që dyshohen se mund të kenë dijeni për grabitjen e një shumë të madhe parash, brenda terminalit të aeroportit të Rinasit.
Aktualisht, ngjarja po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa janë lëshuar edhe 4 urdhra-ndalimi për zinxhirin drejtues të cilët janë përgjegjës për sigurinë në aeroportin e Rinasit.
Më herët vetëm pak ditë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi në total me 156 vite burg 9 të pandehurit të akuzuar për grabitjet me dhunë të tre bankave në Tiranë dhe të autoblindave me para në rrugën e Rinasit. Mes tyre kishte mbetur pa u dënuar pikërisht vetëm Admir Murataj, i vetmi që nuk ishte arrestuar dot./abcnews.al