“I shërbenin krimit”, policia çmonton të tjera kamera në Shkodër

schedule14:50 - 25 Janar, 2023

schedule 14:50 - 25 Janar, 2023

Policia e Shkodrës ka çmontuar 38 kamera të tjera, që ishin vendosur dhe që përdoreshin nga eksponentë kriminalë.  Policia bën me dije se këto kamera u gjetën të vendosura në tre lagje të frekuentuara të qytetit verior.

Aksioni i sotëm pason atë të pakë ditëve më parë, në të cilën u hoqën 21 kamera, dhe që dyshohet se kontrolloheshin nga fiset “Licaj” dhe “Bajraj”.

Në dy aksione janë hequr në total 59 kamera, ndërsa Policia thekson se do goditet çdo paligjshmëri që shqetëson jetën e qytetarëve shkodranë.

Njoftimi i Policisë: 

Shkodër/Vijon faza e dytë e planit operacional policor të koduar “Fijet”. 38 kamera të tjera që i shërbenin informimit të kontigjentit kriminal, u evidentuan dhe u çmontuan nga Policia. Kamerat ishin instaluar në 3 lagje shumë të frekuentuara të qytetit.

Brenda pak ditësh, plani operacional “Fijet” çmontoi 59 kamera. Skuadra të posaçme hetimore vijojnë punën, me qëllim identifikimin e pronarëve të tyre dhe dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.

Strukturat hetimore të DVP Shkodër, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional policor intensiv, të koduar “Fijet”, të mbështetura dhe nga inteligjenca informative, për vendosjen e disa kamerave, në zona shumë të frekuentuara të qarkut Shkodër, konkretisht në lagjet “Guerrile”, “Salo Halili” dhe “Kongresi i Përmetit”, me qëllim sigurimin e informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.

Mbështetur nga shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, strukturat hetimore të DVP Shkodër kanë çmontuar dhe sekuestruar 38 kamera të tjera të dyshuara të lidhura me aparate të ndryshme celulare, të cilat u evidentuan të instaluara në lagjet “Guerrile”, “Salo Halili” dhe “Kongresi i Përmetit”, Shkodër.

Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.

Më herët, gjatë fazës së parë të planit operacional policor të koduar “Fijet”, u çmontuan 21 kamera të instaluara nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri tek rrethrrotullimi i parë i bypassit të Shkodrës dhe nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri te rrethrrotullimi i Dobraçit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!