I pesti në Europë, Etrit Berisha shkëlqen me SPAL në Serie A

schedule15:39 - 15 Qershor, 2020

schedule 15:39 - 15 Qershor, 2020

Nuk i ka mbetur shumë për të provuar në karrierë. Etrit Berisha, tashmë në moshën 31-vjeçare, pasi provoi majat me kombëtaren shqiptare duke arritur në finalet e Europianit 2016 në Francë, po vazhdon shkëlqimin vit pas viti.

Me Lacion e me Atalantën ishte gjithnjë i dalluar dhe kështu po bën edhe me skuadrën e vogël të Serie A, SPAL-in e Ferrarës. Sipas statistikave të përpiluara nga agjencitë e specializuara, portieri i kombëtares shqiptare është në vendin e 5-të në Europë, ndër të gjithë gardianët e 5 ligave më të mëdha të Europës, përsa i përket pritjeve shpëtuese këtë sezon.

Berisha ka realizuar 107 pritje, duke qenë shumë pranë Rafael Gilkievicit të Unionit të Berlinit në Bundesligë, e duke lënë pas Bernd Lenon e Arsenalit të Premier Ligës.

Me shtatlartësinë e admirueshme prej 1.95 metrash, me reflekset e lindura, por edhe të përpunuara, si dhe me stërvitjen rigoroze, ndoshta edhe më shumë sesa duhet, shqiptari nga Kosova i ka bërë vend vetes mes më të mirëve të kontinentit.

Ai ka fituar ndaj konkurrencës së numrave 1 shumë të mirë në Itali si Shezni i Juventusit, Donaruma i Milanit, Handanoviç i Interit apo edhe kolegu të tij tek Shqipëria, Tomas Strakoshës së Lacios, ndonëse SPAL-i është në vend të parafundit dhe pritet të bjerë në Serinë B.

Në vend të parë për pritjet është portieri I Levantes në La Ligën e Spanjës, i cili e ka shpëtuar skuadrën e tij plot 126 herë, dhe falë formës së tij, Levante ndodhet në mesin e renditjes së kampionatit spanjoll, pa u rrezikuar për momentin për të rënë nga kategoria. /abcnews.al