“I love this team”, Rama reagon pas triumfit të kombëtares “kuqezi” ndaj Ishujve Faroe

schedule23:51 - 20 Qershor, 2023

schedule 23:51 - 20 Qershor, 2023

 

Kombëtarja e Shqipërisë ia doli të bëjë detyrën edhe në transfertë përballë Ishujve Faroe, në ndeshjen e tretë të eliminatoreve për kampionatin europian “Gjermani 2024”.

Pas ndeshjes me anë të një postimi në “facebook” ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se “e dashuron këtë skuadër” dhe e uron për fitoren 1-3.

Djemtë e drejtuar nga Sylvinho, zhvilluan një lojë të mirë duke krijuar shumë raste, por shpesh të pasaktë para portës, në krahun tjetër Ishujt Faroe treguan se nuk janë më një ekip amator, por investimet në infrastrukturë dhe akademi po nisin të japin frytet.

Ndeshja u zhbllokua nga mesfushori Nedim Bajrami, ndërsa në fundin e pjesës së parë vendasit arritën të barazonin dhe t’i mbyllnin 45 minutat e para në barazim 1-1.

Në pjesën e dytë, Kristjan Asllani shënon një gol fantastik falë një goditje precize nga jashtë zonë, duke konfirmuar se jo më kot është pjesë e Interit dhe nën-kampion europe.

Goli i tretë do vinte në minutat shtesë falë një kombinimi shumë të mirë të dy futbollistëve që u aktivizuan në pjesën e dytë, Uzuni -Muçi, me ish-lojtarin e Tiranës që do ta përfundonte topin në rrjetë për të vulosur fitoren e dytë në 3 ndeshje të zhvilluara deri më tani.

“Kuqezinjtë” falë edhe fitores së Moldavisë përballë Polonisë, ndodhen në vendin e dytë me 6 pikë, një më pak se Çekia kryesuese dhe një më shumë se Moldavia.

Në shtator, Shqipëria ka dy ndeshjet më të rëndësishme të këtyre eliminatoreve, aty ku pritet të vendoset shumë në lidhje me fatin tonë për pjesëmarrjen në europian. Në datën  7 dhe 10 shtator përballemi pikërisht me Çekinë dhe Poloninë.r.t/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!