I “hapi rrugën” që nga Stambolli, Ilir Meta uron pasuesin për zgjedhjen në krye të shtetit

schedule19:55 - 4 Qershor, 2022

schedule 19:55 - 4 Qershor, 2022

Presidenti Ilir Meta ka uruar pasuesin e tij Bajram Begaj pasi ky i fundit u votua si kreu i ri i shtetit me 78 vota “pro”. Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Meta i dërgon nga Stambolli, urimet Begajt, për kandidaturën e të cilit kishte deklaruar më herët se nuk do të bëhej pengesë.

“Urime Presidentit të zgjedhur sot nga Kuvendi i Shqipërisë, z.Bajram Begaj!” 

Në një dalje për mediat përpara nisjes së procesit të votimit në Kuvend, Sali Berisha e akuzoi Metën për shkelje të Kushtetutës. Sipas tij, Presidenti humbet fuqinë e dekreteve jashtë territorit të vendit të tij.

“Jashtë territorit nuk ka dekret. Kur je jashtë vendit, Kryetar Shteti është kryetari i Parlamentit”.

Kujtojmë se Meta i hapi rrugën Bajram Begajt drejt detyrës së kreut të shtetit duke firmosur live nga Stambolli dekretin për lirimin nga detyra e ushtarakut.

Me firmosjen e aktit iu hap rruga votimit pasditen e sotme në Parlament. Ngërçi vijonte që prej mëngjesit të sotëm, pasi Meta ndodhej jashtë shtetit. Më herët Presidenti tha se do të respektonte çdo vendim të Kuvendit me vote. /abcnews.al/