“I gjashti i PS, Video-Droga”, Çfarë e pret kryebashkiakun e Bulqizës?

22:18 | 22/01/202022:180

I gjashti i PS, Video Droga”! Kjo ka qenë tema në të cilën është zhvilluar emisioni “Byro Politike” me gazetaren Juli Xhokaxhi gjatë mbrëmjes së sotme në ABC News.

Me një panel të ftuarish të cilët kanë qenë: Flamur Noka, Spartak Koka, Mentor Kikia, Rovena Voda dhe Fatos Klosi nën moderimin e gazetares Juli Xhokaxhi, kanë dhënë opinionet e tyre në lidhje me videon e publikuar ditën e sotme, ekskluzivisht për ABC News, nga gazetari investigativ Artan Hoxha.

Në videon e publikuar ditën e sotme, shihej kryebashkiaku i Bulqizës ndërsa thithte lëndë narkotike (kokainë), në ambiente publike.

Gazetari dhe analisti Mentor Kikia tha se diskutimi mbi atë çfarë shihet në video, duhet të fillojë duke u distancuar nga rasti, dhe personazhi që shihet në video, pasi për të kjo gjë është një turp.

“Unë e kam përballë këtë video dhe më vjen turp, ju duhet të kishit mbajtur një qëndrim, dhe duhet të ishit distancuar menjëherë nga ky personazh. Nëse kjo do të kishte ndodhur në çdo qytet të Europës, do ishte bërë lajm edhe tek ne. Gjithçka duhet diskutuar duke u distancuar nga ky rast, nuk ka nevojë për ekspertizë apo gjë tjetër”, tha Kikia.

Pas opinionit që dha gazetari Kikia, zv/ministrja e brendshme Rovena Voda deklaroi se kishte një qëndrim korrekt të cilin e tha që në nisje të emisionit.

Sipas Vodës nëse kjo video është reale, atëherë organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën e tyre.

“Unë e dhashë qëndrimin tim, dhe mendoj se ishte shumë korrekt. Nëse kjo video është reale agjencitë ligjzbatuese të bëjnë detyrën”, deklaroi Voda.

Për ish-kreun e SHISH Fatos Klosi, ajo që shihet në këtë video ndodh edhe në vendet e tjera të Europës me zyrtarë të lartë.

“Në vendet e Europës pinë drogë kryeministrat, mos na tregoni përralla”, tha Klosi.

Gjatë diskutimit në studio zv. Ministrja e Brendshme tha se ligji i dekriminalizimit po jep efektet e tij, duke marrë shkas nga rastet e publikuara për zyrtarët e inkriminuar.

Por këtij qëndrimi të zv.ministres, i ka ardhur përkundër përgjigja e ish-deputetit të PD, Flamur Noka.

Ligji i dekriminalizimit erdhi si pasojë e presionit të opozitës, sepse ne konstatuam se në parlament kishte njerëz me të shkuar kriminale, brenda parlamentit u zhvilluan akte banditeske, dhe ndaj ne e propozuam. E keni mbështetur dhe miratuar ju nga halli, sepse keni patur presion nga ndërkombëtarët por ligjin e bëri opozita. E pamë se ku ishte katandisur pushteti”, tha Noka në replikë me Vodën.

Për gazetarin Spartak Koka, nga ajo që shihet në video, ndodhemi përpara konsumimit të 2 veprave penale, atë të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe “përshtatja e ambienteve publike për përdorimin e drogës”.

Koka tha se kjo video do të duhet ti nënshtrohet ekspertizës, pasi kryebashkiaku Alla, ka deklaruar në mënyrë kategorike se është e montuar. Më tej Koka tha se kryebashkiaku i Bulqizës, për të vërtetuar se nuk është përdorues i drogës, do të duhet ti nënshtrohet analizave mjekësore.

“Jemi përpara dy veprave penale, ku akuzën duhet ta ngrejë policia bashkë me prokurorinë, atë të “prodhim shitje e lëndëve narkotike” dhe “përshtatja e ambienteve publike për përdorimin e drogës”.  Ajo që duhet të provohet është video, pasi kryebashkiaku pretendon se video është e montuar, video të dorëzohet, dhe të provohet nëse është autentike në gjithë gjatësinë e saj, dhe nga ana tjetër, normalisht Kryebashkiaku ka një detyrim moral përballë qytetarëve të Bulqizës. Z. Alla të provojë dhe të paraqitet për të bërë testin e drogës, nëse është përdorues i lëndëve narkotike apo jo. Ashtu siç tha edhe zoti Klosi, për arsye personale mund ta përdorë lëndën narkotike, por zoti Alla ka mbajtur qëndrim kategorik mohues. Madje ditën e djeshme i vinte turp të përmendte emrin e kokainës gjatë një prononcimi që kishte dhënë në një portal, ndërkohë ditën e sotme shfaqet kjo video. Kjo video nuk tregon asgjë në thelb procedurialisht, dhe ligjërisht, por sigurisht moralisht tregon shumëçka për zotin Alla, si i zgjedhur nga qytetarët e Bulqizës. Për të dy veprat penale për të cilat fola, duhet që prokurori dhe policia të bëj hetimet e nevojshme, deri tani nuk ka ndonjë reagim për këtë”, tha Koka./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono