I detyruar të punonte pa doreza, mjeku italian ndërron jetë nga koronavirusi

schedule10:15 - 19 Mars, 2020

schedule 10:15 - 19 Mars, 2020

Një mjek 57-vjeçar, i cili punonte në një spital në qytetin Codogno, ka ndërruar jetë.

Sipas  Euronews Marcello Natali ishte i shtruar në një spital në Cremona pasi rezultoi pozitiv me koronavirus ndërsa  u transferua në Milano pas një pneumonie të dyfishtë.

Para se të testohej për Covid-19, në një intervistë për Euronews kishte thënë se duhej të punonte pa dorëza.

“Ato kanë mbaruar”, është shprehur ai.

Ai gjithashtu tha se në Codogno, në një vend aty pranë, Casale, 14 mjekë ishin në karantinë që nga data 28 shkurt.

“Ne nuk ishim të përgatitur për koronavirusin, ne u rritëm duke menduar se një pilulë kundër gjithçkaje ishte e mjaftueshme”, është shprehur Natali.

Vdekja e Marcello Natali u konfirmua nga një përfaqësues i Federatës Italiane të Praktikuesve të Përgjithshëm, i cili tha se ai vuante nga pneumonia e dyfishtë për shkak të koronavirusit.

Ndërkohë Paola Pedrini, sekretare rajonale në federatë, tha për Euronews se 110 mjekë nga 600 në provincën e vetme të Bergamos janë të sëmurë.

“Situata nuk është aspak mirë që nga fundi i shkurtit. Ne morëm disa maska, disa doreza, asgjë tjetër. Një maskë që duhet të zgjasë gjysmë-ditë, këtu zgjat një javë.”

Shumë vende europiane vuajnë nga mungesa e  dorezave, maskave ​​mjekësore si dhe mjeteve të tjera si dezinfektuesi i duarve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!