“I dënuar”, Veliaj: Paçavurja në dosjen time. Prokurori u përpoq ta kalonte këtë skandal duke e cilësuar si lapsus

schedule17:00 - 13 Shkurt, 2025

schedule 17:00 - 13 Shkurt, 2025

Një ditë pas seancës gjyqësore Erion Veliaj ka ndarë në “Facebook” detaje nga salla e gjyqit. Publikon këtë dokument që i përket faqes së parë të dosjes së tij ku prokurori Ols Dado shkruan se kryebashkiaku i Tiranës  është i dënuar dhe  thotë se bëhet fjalë për një skandal  që Dado e vërtetoi vetëm me një telefonatë.

“Dje në sallën e gjyqit, vetëm pasi unë deklarova që jam i padënuar dhe, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur me votë 3 herë radhazi nga qytetarët e mi, kam plotësuar formularin e dekriminalizimit, prokurori Ols Dado u detyrua ta verifikonte këtë me një telefonatë, (pasi siç duket, në mendjen e tij tashmë rezultoi një person i dënuar), dhe u përpoq ta kalonte këtë skandal, duke thënë se është thjesht një ‘lapsus’, që e paskan bërë shkruesit e dosjes time”.

Erion Veliaj mendon se është një lapsur frojdian i prokurorit Dado. Një lapsus që sipas teorisë së psikoanalizës së Frojdit është një akt që fsheh një dëshirë të pavetëdijshme.

“Pra, që në faqen e parë të akuzës të ngritur kundër meje na qenka bërë gabimisht një lapsus frojdjan kaq i rëndë, e njëkohësisht kaq qesharak, nga prokurori hartues i dosjes. Po si mundet të bëhet një lapsus në një dosje hetimore? Si mund të luhet me jetë njerëzish duke e kaluar me fjalët “ishte lapsus”?

Ky ‘lapsus’, vetëm lapsus nuk është! Është një hije e madhe dyshimi mbi të gjithë atë që është gatuar kundër meje dhe bashkëshortes sime. Tani është i qartë serioziteti me të cilin janë zhvilluar hetimet kundër familjes dhe personit tim: më e pakta, në dosjen time ka gabime trashanike, si kjo e faqes së parë, e të cilat do t’i publikoj një e nga një për publikun dhe qytetarët e Tiranës; por, rezervoj edhe dyshimet e mia mbi dëshirën e nxituar të prokurorit Ols Dado për të më shpallur fajtor ende pa nisur procesi i gjykimit.”

Në seancën me dyer të mbyllura Erion Veliaj dhe prokurori  i çështjes Ols Dado u përplasën dhe për konflikt   interesi  mes tyre. Kryebashkiaku i Tiranës i kërkoi prokurorit që e heton të tërhiqet nga çështja pasi sipas Veliajt ai i ka dhënë një leje ndërtimi  dhe Dado ka mbetur i pakënaqur.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!