Eliminoi dy gra, kush është 38-vjeçari i rrezikshëm i arrestuar në Selenicë

schedule14:42 - 16 Tetor, 2019

schedule 14:42 - 16 Tetor, 2019

Policia ka arrestuar një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në një konferencë për mediat, zv.drejtoresha e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, tha se Tesi alias Tesilvan Basho, 38 vjeç, u arrestua pas informacioneve të grumbulluara nga autoritetet.

Ky person është dënuar në Itali me burgim të përjetshëm, ndërsa në momentin e operacionit të policisë së shtetit ka tentuar të largohet, por pa sukses, pasi u neutralizua nga agjentët dhe u vu në pranga.

Këtë shtetas, Gjykata e Torinos /Itali në vitin 2016 e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Mbajtja dhe transportimi pa leje i armëve të zjarrit”. Më datë 24.01.2008, ky shtetas ka vrarë me armë zjarri dy shtetase që ushtronin prostitucion në qytetin e Torinos, Itali, njërën prej të cilave e shfrytëzonte ky shtetas për prostitucion. Shtetasi Tesi Basho në 2016 është arratisur nga burgu i Rebibbos në Itali. Gjithashtu u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Rrethit Vlorë, i vitit 2019, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Tesi (Tesilvan) Basho, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, thuhet në deklaratën e policisë.

Po gjatë operacionit të paradites së sotme, forcat e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin edhe të shtetasit Satilno Basho, 33 vjeç, banues në Vlorë, vëllai i Tesi Bashos. Për këtë shtetas kishte urdhër-ndalimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.

Të dy vëllezërit dyshohet se në janar të vitit 2017, nëpërmjet dhunës, kanë kërcënuar për dhënie pasurie rreth 100 000 euro një shtetas. Gjithashtu, këta shtetas dyshohen edhe për kryerje të veprave të tjera penale në fushën e krimeve ndaj personit dhe të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri Kallashnikov me 6 krehëra me fishekë, 1 armë zjarri pistoletë me dy krehra, kallëp me lëndë eksplozive, jelek antiplumb, pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, 10 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis Sativa, 5 radio marrëse – dhënëse si të Policisë, 900 euro, si dhe dokumente të ndryshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!