I dënuar për shpërdorim detyre, lirohet nga burgu ish-drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi

schedule10:41 - 30 Gusht, 2022

schedule 10:41 - 30 Gusht, 2022

Ish-drejtori Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi është liruar nga burgu.

GjKKO ka marrë vendimin për lirimin e Gëllçit, i cili u dënua me 1 vit e 4 muaj burg për shpërdorim detyre.

GJKKO pranoi kërkesën e avokatit Dorian Matlia për lirimin e tij për shkak se i kanë mbaruar afatet e dënimit. Ndërkohë cështja ndaj tij do të zhvillohet në apel ku Gëllci kërkon pafajësi.

Ish-drejtori i RTSH-së Thoma Gëllçi u dënua nga GJKKO me dy vite burg, për shkak të një abuzimi me tenderin për RTSH Agro.

Gëllçi përfiton nga gjykimi i shkurtuar, duke iu ulur kështu dënimi në 1 vit e 4 muaj. Po ashtu, ai nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik për 5 vitet e ardhshme.

Thoma Gëllçi dhe tre punonjës të KVO u arrestuan nga SPAK pasi dyshohet se kishin kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi, për blerjen e materialeve për hapjen e kanalit RTSH Agro.

Thoma Gëllçi gjatë dëshmisë së tij para prokurorëve kishte  sqaruar se e kishte bërë zgjatje të kontratës me kompaninë, duke nënvizuar faktin se është një procedurë që e parashikon ligji i prokurimit.

Ai ka mohuar kategorikisht që të jetë abuzuar me fondin prej rreth 87 milionë Lekësh për hapjen e kanalit RTSH Agro.

Zyrtarët e RTSH-së u arrestuan në fillim të muajit Tetor të vitit të shkuar, pas denoncimit që bënë kompanitë e skualifikuara në tender. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!