Hungari, tjetër protestë kundër rizgjedhjes së Orban

schedule22:52 - 8 Maj, 2018

schedule 22:52 - 8 Maj, 2018

Hungarezët kanë pushtuar sërish rrugët të martën, për të protestuar ndaj rizgjedhjes së kryeministrit Orban dhe pushtetit të tij autoritar. Ndërkohë, Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e fundit pritet të miratojë së shpejti ligjin “Stop Soros”.

Disa dhjetëra mijëra qytetarë janë mbledhur pasditen e së martës në sheshin para Parlamentit, në Budapest, për të protestuar kundër autoritarizmit të regjimit të ngritur nga kryeministri Viktor Orban.

“Mazhoranca jemi ne!”, ka qenë parulla e protestuesve, që kanë kundërshtuar edhe rizgjedhjen e tij. Në fakt, rreth 2.6 milionë hungarezë votuan një muaj më parë në mënyrë të fragmentarizuar për partitë e opozitës dhe 2.5 për partinë e Orban, Fidesz.

Kryeministri, që tashmë është mandatuar për formimin e qeverisë, do të mbajë fjalimin e tij në Parlament ditën e enjte, kur do të prezantojë dhe programin e tij qeverisës.

Mes akteve të para të Parlamentit të ri, që nisi punën këtë të martë, do të jetë miratimi i ligjit “Stop Soros”, që penalizon organizatat civile që ndihmojnë emigrantët dhe parashikojnë ndryshime në Kushtetutë për të ndaluar pritjen e tyre pa një autorizim parlamentar.

Në tubimin e organizuar nga lëvizjet civile, pa përfshirjen e partive, qytetarët kanë ngritur parulla të tipit “Mjaft më me diktaturë!”, apo “Orban, zhduku!”./abcnews.al