Humbja në zgjedhje, Renzi braktis drejtimin e PD

schedule18:51 - 5 Mars, 2018

schedule 18:51 - 5 Mars, 2018

Pas humbjes së koalicionit të majtë në zgjedhjet lokale, ish-kryeministri Matteo Renzi ka njoftuar dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike. Duke refuzuar bashkëqeverisjen me populistët, Renzi ka thënë se e majta e ka vendin në opozitë.

Ish-kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike, pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës. Në një konferencë për shtyp, Renzi ka deklaruar se humbja është e qartë, ndaj dhe largimi i tij i natyrshëm.

“E pranojmë me kthjelltësi humbjen, një humbje neto, që na imponon të hapim një faqe të re në radhët e PD-së”, ka thënë Renzi.

Qendra e majtë, ku bën pjesë dhe Partia Demokratike e Renzit, siguroi vetëm 22.8 për qind të votave në zgjedhje. Në vijim të konferencës, ish-kryeministri ka nënvizuar se Partia Demokratike do të hyjë në një fazë të re, ndërsa ka theksuar se ajo nuk do të kthehet në tabelë për goditjet e ekstremistëve.

“E kemi thënë edhe në fushatë, nuk do të ketë qeveri me ekstremistët dhe nuk kemi ndërruar mendje”, ka vijuar Renzi. Ai është shprehur se janë 3 elementët që e ndajnë PD-në nga liderët Salvini dhe Di Maio: euro-skepticizmi, anti-politika dhe përdorimi i dhunës verbale.

“Nëse ne jemi mafiozë, të korruptuar, apo i kemi duart me gjak, atëherë e dini çfarë? Krijojeni qeverinë pa ne. Vendi ynë është në opozitë”, ka shtuar Renzi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!