Dy persona kanë ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit në Kosovë. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë në vend të hënën. Sipas MSH-së në Kosovë, ata kanë ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Me këto dy raste, numri total i viktimave shkon në tre.
Një prej pacientëve, 59-vjeçari me inicialet S. N, e ka humbur betejën me Covid-19 në orën 03:00 të mëngjesit, Ndërsa pacientja 70-vjeçare me inicialet N. R ka ndërruar jetë në orën 07:10, ndërsa njoftohet se ndodhej në kujdes intensiv dhe kishte pasur sëmundje shoqëruese.
Njoftimi i MSH:
“Sot me datë 06.04.2020 në Klinikën Infektive të QKUK-së dy pacientë me COVID 19 kanë përfunduar me vdekje. Në ora 03:00 ka përfunduar me vdekje pacienti i gjinise mashkull S. N, 1961, Prishtinë, i cili është pranuar në Mjekimin Intenziv të Klinikës Infektive me datën 04. 04. 2020 transfer nga Qendra Emergjente e QKUK-së dhe ka qenë me sëmundje shoqëruese (Diabetes Mellitus tip 2. Sy hepatorenale). Pacienti është pranuar në Klinikën Infektive në gjendje të rendë pa vetëdije. Në ora 07:10 ka përfunduar me vdekje pacientja e gjinisë femer, N. R, 1950, Korishë, Prizren, e cila është pranuar po ashtu në Mjekimin Intenziv të Klinikës Infektive me datën 02. 04.2020 dhe ka pasur sëmundje shoqëruese (Diabetes Mellitus, Nephropathia diabetica, Hypertensio arterialis dhe Cardimyopathia chronica)”, thuhet në njoftimin e MSH-së.