Vllaznia luan nesër një ndeshje delikate ndaj Skënderbeut, me shkodranët, që vijnë si favoritë dhe duhet ta tregojnë nesër në fushë. Para kësaj sfide në konferencë për shtyp foli sulmuesi i kuqebluve, Ardit Hoxhaj.
Ai shprehet se këtë sezon synon të shënojë 10 gola dhe shton se në Superiore nuk mund të futesh në asnjë ndeshje i sigurt për fitoren.
“Deri më tani çdo gjë po shkon si duhet. Shpresoj ta mbarojmë kështu si e kemi nisur. Nesër është ndeshje morali. Tre pikë merr si me Tiranën si me Skënderbeun. Nuk janë kundërshtar i lehtë Skënderbeu dhe barazuam me Tiranën.
Nuk ka ndeshje të lehta dhe në asnjë ndeshje nuk futesh i sigurt se do e fitosh. Edhe ekipet e fundit kanë ego për të luajtur. Nuk premtoj gola por do isha i kënaqur të shënojë 8-10 gola, pse jo edhe më shumë.
Kam qenë te Skënderbeu në momentin më të mirë të tyre, nuk kam luajtur shumë, por është bukur të luash ndaj ish-skuadrës, pse jo t’i shënosh. Lojtarët e mesfushës së Skënderbeut janë shumë të mirë dhe kush arrin të fitojë duelet e mesfushës, nesër merr tre pikët”, u shpreh Hoxhaj. /abcnews.al