Hoxhaj: Ishim nervozë, e donim golin me “dhunë”! Kam klauzolë për largimin

schedule10:31 - 25 Janar, 2021

schedule 10:31 - 25 Janar, 2021

Ardit Hoxhaj, sulmuesi vlonjat i Vllaznisë, një ditë më parë kundër Kastriotit nuk ia doli të shënonte dhe tani e ndan kreun e golashënuesve me Patrick Eze dhe Agim Ibraimin. Në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport ai ka folur për barazimin kundër krutanëve dhe premton që Vllaznia do rikthehet kundër Partizanit. Ai vë në dukje një element të veçantë të kundërshtarëve tani, ndërkohë flet edhe për rinovimin e kontratës dhe për shanset e një largimi nga shkodranët në verë.

BARAZIMI – “Nuk na mërzit barazimi kundër Kastriotit, më shumë jemi të zhgënjyer se duhet të ishim shkëputur për shkak se Teuta dhe Partizani kanë një ndeshje direkte. Në jemi në vend të parë, pasi rivalët tanë kanë gabuar më shumë se ne. Nuk është çudi që të barazosh ndaj Kastriotit, pasi dihet si është kampionati shqiptar”.

“Terreni nuk na lejoi sot që të bënin lojën tonë dhe Kastrioti kishte ardhur për të marrë një pikë dhe këtë treguan në fushë. U treguam nervozë dhe e kërkuam golin me ‘dhunë’. Nuk ishim përgatitur për një Kastrioti që të rrinte kaq mbrapa. Menduam se edhe ata do të donin fitoren. Në kampionatin shqiptar diferencat janë shumë të vogla dhe Kastrioti nuk është një skuadër e vogël.

 

Këtë ndeshje e kishim vlerësuar shumë madje edhe më shumë seç duhet, pasi donim ta fitonim me çdo kusht. Nga dëshira e madhe për të fituar na ka bërë që të dilnim nga detyrat tona në fushë. Nuk është fundi i botës, pas këtij barazimi kemi ndeshjen e radhës ndaj një rivali direkt si Partizani. Do shfaqemi ashtu siç kemi bërë në ndeshjet e kaluara”.

VLERËSIM NDRYSHE – “Tani kundërshtarët na kanë marrë më shumë seriozisht dhe pas çdo jave skuadrat tregohen më cinike për të marrë rezultat. Sa më shumë javë kalojnë, skuadrat tregohen cinike për të arritur rezultatet që kanë si objektiv”.

E ARDHMJA DHE KLAUZOLA – “Kam menduar se ardhja te Vllaznia do të ishte lëvizja e duhur dhe do të luaja rregullisht. Para se te vija te Vllaznia kam folur me trajnerin dhe më tha që jemi këtu për t’u rritur së bashku dhe ju të bëni një hap më të madh në karrierë.

Mendoj se jemi rritur të gjithë bashkë dhe i kemi rritur vlerat tona. Kam firmosur një kontratë të re dhe kam pasur rritje rroge. Kam gjithashtu edhe një klauzolë për t’u larguar jashtë. Në verë jemi të hapur për çdo ofertë që do të vijë dhe sponsori Xhaferri ma ka dhënë garancinë që mund largohem jashtë”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!