Hoxha: Tirana e fali Partizanin, mund t’i shënonte 7 apo 8 gola!

schedule23:53 - 2 Mars, 2020

schedule 23:53 - 2 Mars, 2020

Artan Hoxha, gazetari i njohur, është i ftuar në Pressing, në ABC News. Hoxha foli për derbin e kryeqytetit, ku u shpreh: “Arbitri ndikoi, padiskutim në derbi. E pata thënë që Tirana do ta fitonte ndeshjen, por më surprizoi Partizani. Për mua, arbitrin nuk e ndihmoi as stadiumi plot me tifozë. Ai mund ta jepte penalltinë, por ta shmangte kartonin e kuq. Partizani nuk hoqi dorë nga kërkimi i golit të dytë, por pësoi 5 gola.

Është humbja më e thellë e Partizanit në dy dekadat e fundit. Lojtarët e Tiranës, trajneri i Tiranës, thanë që Partizani luajti mirë. E ke masakruar Partizanin e mbi të gjitha, Tirana jo që mundi Partizanin, por e shkurorëzoi nga kampion në fuqi.

Tirana vuri vulën që është pretendenti numër një për titullin kampion. Për mua, Tirana nuk fitoi thjesht një ndeshje dhe në derbi, por i ktheu kusurin Partizanin. Partizani e fitoi titullin me derbi vjet, Tirana ia ktheu me të njëjtën monedhë sivjet.

Unë dua të them se kur e ke mirë me atë lart, arbitrat e mbajnë më mirë me ty. A e mbani mend vjet, sa penallti ka fituar? E kanë masakruar. Tirana e fali Partizanin, mund t’i shënonte 7 ose 8 gola”, tha Hoxha./abcnews.al