“Holanda na kishte frikë, ndihuni krenarë! E tmerrshme si trajtohet Immobile”

schedule09:39 - 15 Tetor, 2020

schedule 09:39 - 15 Tetor, 2020

Alessandro Florenzi është treguar i papërmbajtshëm pas barazimit të Italisë me Holandën. Mbrojtësi, i cili ka kaluar te PSG, foli për Rai Sport dhe vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij. Ajo që ai nuk kupton është mënyra se si trajtohet sulmuesi i tyre kryesor, Ciro Imobbile.

Fillimisht ai foli për ndeshjen dhe deklaroi: “Jemi krenarë për paraqitjen, të gjithë dhanë gjithçka dhe duhet të vazhdojmë të luajmë këtë lloj futbollit. Pashë një Itali që e detyroi Holandën të transormohej plotësisht dhe për herë të parë pas kushedi sa kohësh ata luajtën me pesë lojtarë në mbrojtje.

Kjo do të thotë se ata i frikësoheshin stilit tonë të lojës dhe kjo duhet të na bëjë krenarë. Pashë një Itali që kurrë nuk e humbi identitetin, formën dhe atë që trajneri kërkon prej nesh”. Më pas ai nisi të fliste për sulmuesin e Lazio, që vjet ishte shënuesi më i mirë në Europë dhe tani është në qendër të kritikave.

“Ne mund të kishim shënuar më shumë, por kam lexuar disa gjëra vërtetë të tmerrshme dhe kam dëshirë të flas. Ndodh që rastet humben, por ajo që nuk duhet të ndodhë është mënyra se si trajtohet Ciro Immobile në media. Ai është një lojtar që ka shënuar 36 gola sezonin e shkuar dhe trajtohet si të ishte më i keqi i të këqijve.

Nëse Lewandowski do ta kishte bërë atë gjë, ai do të trajtohej si mbret. Immobile shënoi 36 gola dhe fitoi ‘Këpucën e Artë’ sezonin e kaluar, kështu që duhet të trajtohej si një hero në Itali. Nëse nuk shënon për disa ndeshje nuk duhet të konsiderohet si katastrofë.

Ai është një djalë i shkëlqyer, një kampion dhe një pikë referimi për të gjithë ne. Ne jemi të gjithë mirënjohës për atë që ai i sjell kombëtares dhe vetëm ata jashtë Italisë duket se kanë një mendim kaq të ulët për Immobile”, ka përfunduar Florenzi. /abcnews.al