Holanda kërkon kualifikimin në gjysmëfinale, turqit besojnë te “mrekullia”

schedule14:36 - 6 Korrik, 2024

schedule 14:36 - 6 Korrik, 2024

Në “Euro 2024” u prezantua me emrin e madh, por pa shumë kuota në renditjen e favoritëve.

Megjithatë, me kalimin e sfidave, sidomos me fitoren 3-0 ndaj Rumanisë në fazën e 1/16-ve, “Tulipanët” e Holandës treguan se kabë të gjithë talentin dhe kualitetin për të garuar mes më të mëdhenjve për trofeun më të rëndësishëm të futbollit europian.

Pas shkëlqimit në ndeshjen e fundit, tekniku Ronald Koeman dhe të besuarit e tij duhet të gjejnë konfirmimin në çerekfinalen kundër Turqisë, ku në pamje të parë, “Tulipanët” janë favoritët absolut, por strategu holandez i beson vetëm fushës.

“Ashtu si Rumania, Turqia ka një zemër të madhe kur luan, por ne do të duhet të shikojmë veten dhe atë që dimë të bëjmë. Ndoshta kanë marrë masa pasi na kanë parë ndaj Rumanisë, por ne e dimë që do të kemi hapësirë, goditja në tranzicion do të jetë arma jonë”,- u shpreh tekniku i Holandës, i cili nuk do të shqetësohet nga asnjë mungesë e ndonjë lojtari këtë të shtunë, përveç mbrojtësit, De Ligt, me këtë të fundit që nuk ka qenë zgjedhje e parë e strategut deri më tani.

Krejt i ndryshëm është diskutimi për Turqinë, që duhet të bëjë në këtë sfidë pas tre lojtarë të rëndësishëm. Demiral u pezullua pas gjestit të tij në ndeshjen kundër Austrisë, po ashtu për shkak të kartonëve nuk do të mund të luajnë Kokcu dhe Juksek, mirëpo përtej mungesave dhe diferencave në kualitet, Montela beson te forca e grupit dhe dëshira e lojtarëve të tij, teksa rikthehet dhe Hakan Calhanoglu.

“Është bukur që kemi arritiur deri këtu. Ka një entuziazëm të madh në skuadër, por edhe një bashkim më të madh në ekip. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por nuk ka si të jetë ndryshe në këtë nivel. Holanda është një skuadër shumë e fortë. Mendoj se është favorite, por ne kemi dëshirë dhe një grup të bashkuar për të vazhduar të endërrojmë”,- u shpreh tekniku italian. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!