Holanda dhe Katalonja rikthejnë masat kufizuese, por klubet rihapen në Francë

schedule15:40 - 10 Korrik, 2021

schedule 15:40 - 10 Korrik, 2021

Katalonja, një rajon autonom në Spanjën Verilindore, po rikthen sërish masat kufizuese, pas një rritje eksponenciale të rasteve, kryesisht midis të rinjve.

“Situata epidemiologjike në Katalonjë është e komplikuar,” tha Patricia Placha, një zëdhënëse e qeverisë, duke shtuar se “numri i rasteve po rritet në mënyrë eksponenciale, më shumë se sa spitalet mund të përballojnë.

Si rezultat, klubet e natës duhet të mbyllen, dhe ata që dëshirojnë të marrin pjesë në ngjarjet në ambiente të hapura me më shumë se 500 njerëz duhet të kenë një test negativ ose të jenë të vaksinuar kundër Covid-19.

Holanda ka vendosur disa masa kufizuese, pas rritjes së rasteve. Vendi regjistroi 7000 raste në 24 orë. Kryeministri Mark Rutte ka urdhëruar mbylljen e klubeve të natës, ndërsa restorantet do të mbyllen  duke filluar nga java e ardhshme.

Sidoqoftë, në një kohë kur katalanasit dhe holandezët do të duhet të heqin dorë nga klubet e natës për një periudhë të pacaktuar kohe, Franca nga ana tjetër ka rihapur klubet pas mbylljes që në mars të vitit 2020.

Në klub do të lejohen personat që janë vaksinuar ose kanë një test negativ. Mbetet për t’u parë nëse kjo hapje e re do t’i rezistojë variantit Delta. Presidenti Emanuel Macron pritet të mbajë një fjalim të hënën në mbrëmje në lidhje me situatën e pandemisë.

Delta, i identifikuar për herë të parë në Indi, është më ngjitës dhe përhapet më lehtë. Azia dhe Afrika kanë shënuar rritje të rasteve për shkak të variantit Delta. Gjithashtu edhe Europa e SHBA-ja kanë shënuar rritje të rasteve.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “bota ndodhet në një pikë të rrezikshme për shkak të pandemisë”. s.ba/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!