Historiku SHBA-Koreja e Veriut: Urrejtje, përplasje dhe momente tensioni

schedule13:10 - 12 Qershor, 2018

schedule 13:10 - 12 Qershor, 2018

Takimi historik mes Donald Trump dhe Kim Jong-un vjen pas një marrëdhënieje mjaft të tensionuar dhe kërcënimesh të dyanshme mes dy vendeve dhe konkretisht mes dy liderëve.

Me të drejtë mund të konsiderohet si zhvillimi më i rëndësishëm i këtij shekulli, pasi aty u hodhën hapat e para të vendosjes së paqes në gadishullin korean dhe në botë. Por si arritën deri këtu presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un? Asnjë president në detyrë i Shteteve të Bashkuara nuk ishte takuar ndonjëherë më një lider koreanoverior. Ata që shkruan historinë quhen Donald Trump dhe Kim Jong-un.

Më herët vetëm Jimmy Carter, vite pas largimit nga Shtëpia e Bardhë udhëtoi për në Phenian: ishte viti 1994 dhe Carter shkoi për të diskutuar me Kim Il Sung organizimin e një takimi me Bill Clinton edhe pse administrata e këtij të fundit ishte kundër. Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë edhe Clinton udhëtoi për në Phenian si qytetar amerikan dhe u takua me Kim Jong-il, ku kërkoi lirimin e amerikanëve në burgjet e Koresë komuniste.

Ka pasur shumë tentativa zyrtare dhe të fshehta të amerikanëve për të angazhuar koreanoveriorët, të frymëzuar nga “durimi strategjik” dhe nga objektivi për të frenuar dinastinë Kim në rrugën drejt armëve bërthamore. Kim Jong-un ka treguar se posedon si armën nukleare ashtu edhe reaketat ndërkontinentale të afta për të goditur në distanca të largëta. Për këtë, Trump e ka cilësuar të padobishëm “durimin strategjik” të paraardhësve të tij dhe ka kërcënuar më përpara me “zjarr dhe tërbim”.

Deklaratave të tilla, Kim iu është përgjigjur duke treguar forcën ose me testime raketore, ose me kërcënime të drejtëpërdrejta për ndonjë sulm të mundshëm ndaj territoreve të SHBA-së. Për analistët është akoma e paqartë se çfarë ka ndikuar në kthesën e menjëhershme të regjimit të Phenianit. Megjithatë disa mendojnë se takimi në Singapor i shërben më shumë propagandës së Koresë Komuniste se sa administratës Trump.

Përveç kërcënimeve për luftë, shpeshherë, dy liderët kanë shkëmbyer fyerje të rënda për njëri-tjetrin. Megjithatë, sipas asaj që tha vetë lideri i Koresë së Veriut, kjo tashmë është e shkuar e harruar./abcnews.al