“Një moment krenarie për gjithë shqiptarët”, kështu e përkufizon kryeministri Edi Rama, kryesimin e Këshillit të Sigurimit nga Shqipëria.
Në një intervistë për gazetarin Sokol Balla për emisionin Real Story, nga salla ku një ditë më parë drejtoi një nga sesionet më të rëndësishme të dekadës së fundit, me temë “Respektimi i qëllimeve dhe i parimeve të Kartës së OKB-së nëpërmjet multilateralizmit: Ruajtja e paqes dhe sigurisë së Ukrainës”.
“Është një moment historik për vendin tonë, Shqipëria kurrë nuk ka qenë më lart se sot në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe drejtimi i njërës prej seancave më të rëndësishme në KS, në të paktën dekadën e fundit, nga Shqipëria në rolin e Presidencës së Këshillit të Sigurimit, është një përmbushje e jashtëzakonshme e një përpjekjeje jo të lehtë e një sërë vitesh pune dhe thurjeje të një pëlhure të re marrëdhëniesh me botën dhe e një politike të jashtme dinamike, dinjitoze, me vetëdijen që ne jemi një vend i vogël, por njëkohësisht me përgjegjësinë e të përfaqësuarit të të gjithë shqiptarëve me dinjitet, dhe në mënyrë të barabartë. Është vërtetë një moment krenarie për gjithë shqiptarët dhe një motiv për të kuptuar të gjithë bashkë se sa shumë mund të bëjmë nëse kemi vizionin, drejtimin dhe përkushtimin e duhur“./abcnews.al