SHQIPËRI- Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, duke folur për procesin zgjedhor në Himarë, e pranoi se janë rreth 6 mijë zgjedhës me karta identiteti (ID) të skaduara, ndërsa shtoi se kjo shifër ka qenë dhe vitin e shkuar.
Ai theksoi se kjo çështje do duhej të ishte adresuar më parë, ndërsa përgjegjësinë e delegoi tek partitë politike.
“Çështja që ka qenë objekt i diskutimi dhe i sjelljes në vëmendje, është ajo e mjeteve të identifikimit. Por sikurse dhe më herët e kemi bërë me dije, kjo është një çështje që nuk ka të bëjë me përgjegjësitë e KQZ, është çështje që mbetet jashtë procesit zgjedhor. Është e vërtetë që janë 6 mijë votues, të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme. Do të duhet të them që e njëjta shifër votuesish ka qenë dhe në zgjedhjet e kaluara. Përse për këto zgjedhje nuk u mor vendim nga qeveria për të zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit nuk mund ta them. Nuk kemi pasur një komunikim ditën e sotme se nuk është se do të kishte zgjidhje ditën e sotme. Kjo çështje do të duhej të ishte zgjidhur më parë. Është një çështje që lidhet me interesin e votuesve për të disponuar një dokument identifikimi e më pas autoritetet përgjegjëse shtetërore duhej t’i përgjigjeshin interesit. E njëjta gjë qëndron dhe për partitë. Nuk po përpiqem të shmang gravitetin apo shkakun por lidhet me interesin e kandiduesve, dhe të partive”, tha ai.
Ai theksoi më tej se procesi i votimit për zgjedhjet e pjesshme në Himarë, përjashto disa situata sporadike, vijon të jetë i qetë.
Kryekomisioneri Celibashi përmendi se në Lukovë ka pasur tendenca, që të pengohet puna e mediave dhe kjo sjellje shtoi ai është e papranueshme dhe joligjore.
“Në përgjithësi procesi ka shkuar qetë. Ka patur raste që janë evidentuar problematikë. Në një qendër votimi ka patur persona të paautorizuar dhe është pretenduar se mbanin shënim votuesit. Është ndërhyrë dhe është zgjidhur. Në Lukovë përfaqësues të mediave nuk janë lejuar të filmonin. Nëse ndonjë nga anëtarët nuk ndihet komod me këtë, të largohen.”, theksoi ai./ abcnews.al