Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo thotë se Himara do të jetë e himariotëve dhe se ai nuk është nacionalist.
Në emisionin “360 gradë” në ABC News, Tavo u shpreh se gjuha dhe kombësia nuk duhet t’i ndajnë himariotët.
Sipas Tavos, kandidati i opozitës nuk ka program dhe platformë.
“Unë kandidoj për bashkinë e Himarës, jo me kërkesën time, më kanë kërkaur, jam minoritar dhe nuk e mohoj, jam edhe shtetas shqiptar me kontribute dhe përfitime nga ky shtet. Është e tepërt të thuhet përse kandidon Vangjeli në Himarë. Ka qarkulluar në tavolina të ndryshme, nga pala tjetër, nuk jam marrë dhe nuk merrem me rivalët. Jam në përfundim të takimeve të mia në zonë. E kam thënë. Himara është e himariotëve. Është diskutuar ditën e fundit, dikush tha, më në fund votoni Tavon që mos të flitet greqisht në Himarë. Ka ndodhur në një takim, nuk ma kanë thënë mua. Një person ka marrë mikfrofonin dhe ka thënë, të flitet shqip. Himariotët duhet të flasin gjuhën e tyre. Nuk duhet keqpërdorur, nuk mendoj se është gjuha që i ndan njerëzit, por ai grupim, nuk ka program, nuk kam parë të kenë një platformë. Kandidati, forca politike deri më sot, nuk kam dëgjuar të kenë një program. Kapen nga këto momente të caktuara, një moment i tillë e shfrytëzojnë. Gjuha nuk i ndan njerëzit, kombësia duhet t”i bashkojë njerëzit. Unë nuk jam nacionalist. Ne nuk duhet të ndahemi. Duhet të kontribujmë për bashkimin e njerëzve”, theksoi ai./abcnews.al