Hetimet për Saimir Tahirin/ Merret sërish në pyetje shoferi i ish-Ministrit

schedule11:55 - 8 Maj, 2018

schedule 11:55 - 8 Maj, 2018

Për më shumë se tre orë prokurorë të Krimeve të Rënda morën në pyetje të martën shoferin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Genti Ceka u pyet për llogari të hetimit ndaj Tahirit, në lidhje me episode ku përmendej emri i tij.

Shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ishte të martën në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Për më shumë se tre orë, Genti Ceka, qëndroi në dispozicion të prokurorëve Vladimir Mara dhe Dritan Prenci, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre për llogari të hetimit të nisur ndaj ish-ministrit.

Njeriu i afërt i ish-ministrit ka dhënë shpjegime për episode ku del në skenë emri i tij në hetimin e kësaj çështjeje. Burime të rezervuara bënë me dije se Ceka është pyetur mbi dijeninë e tij për lëvizjet e ish-ministrit, apo daljet e tij jashtë vendit.

Shoferi i Tahirit paraqitej për të dytën herë për këtë hetim tek Krimet e Rënda. Herën e kaluar ai u pyet në lidhje me patentat e lundrimit të ish-deputetit Tahiri në automjetin e Ores Sotës, të gjetura e më pas dhe sekuestruar nga policia në Nëntor të vitit të kaluar. Përveç patentave në atë mjet u gjetën edhe një shumë prej 860 mijë euro.

Para prokurorëve, Ceka ka pohuar se patentat e lundrimit ishin harruar prej tij, pasi kishte pasur në përdorim për disa kohë mjetin e Sotës. Ky fundit, po hetohet në masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” po nga Krimet e Rënda.

Javën e kaluar grupi hetimor i dosjes “Tahiri” mori në pyetje një prej ish-shoqëruesve të tij, si edhe disa persona nga Gjormi, fshati i Nezar Seitit, i akuzuar si “financier” i grupit të “Habilajve”.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, po hetohet për akuzën e “trafikut të narkotikëve” në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe të “korrupsionit”. Në 3 Maj, ai hoqi dorë nga mandati i deputetit duke theksuar se do të përballej me drejtësinë si qytetar i thjeshtë. /abcnews.al