Hetimet për CEZ-DIA/ Kara: Meta i pashpresë, jemi para një komunikimi akuze

schedule23:43 - 8 Nëntor, 2023

schedule 23:43 - 8 Nëntor, 2023

TIRANË– Hetimet për CEZ-DIA e rikthyen ish-Presidentin e Republikës Ilir MetA sërish në dyert e SPAK, një aferë kjo, e cila dyshohet se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm mbi 414 milionë euro. Për mbi dy orë, prokurorët morën në pyetje Metën, ndërsa në dalje të SPAK, kryetari I Partisë së Lirisë sulmoi denoncuesin e kësaj afere, Romeo Kara.

Ky i fundit, gjatë intervistës në “Ora e fundit” në ABC News, thotë se kryetari i PL-së është në ditë të hallit. Ai shtoi se mendon se tashmë SPAK është para komunikimit të akuzës për “CEZ-DIA”. Sipas avokatit, Ilir Meta dukej i trishtuar dhe i pashpresë.

“Tha se është telenovelë, por nuk është telenovelë. Dëm 30 milionë euro dëm në vit nga kjo kontratë. Është në ditë të hallit dhe nuk di se çfarë thotë. Unë mendoj se nga përvoja që kemi, se investigimin se kemi mësuar sot , në këto raste i zoti i punës thërritet në fund fare, janë mbledhur provat. Unë mendoj se jemi para një komunikimi akuza, mos të them dhe para një arrestimi. Nga mënyra se si e pashë, e pashë të shqetësuar, e kishte humbur toruan, etikën dhe të gjitha. E pashë të pashpresë”, tha Kara.

Më tej, ai shtoi se pasuria e Metës është e pajustifikuar dhe beson shumë që drejtësia do ta çojë më tej këtë hetim.

“Pasuria e tij është e pajustifikuar. Mendoj se jemi drejt përfundimit të procesit të hetimit dhe komunikimit të akuzës, dhe besoj se do kemi komunikim akuze dhe jo pushim të çështjes”, tha ai.

Gjithashtu, Kara komentoi dhe shmangien që Berisha po i bën drejtësisë për dosjen hetimore “Partizani”. Sipas tij, nëse nuk paraqitet më 20 nëntor në Gjykatë, atëherë organet ligjore do të kërkojnë një masë më të fortë ndaj tij.

“Gjykata dhe prokuroria do ta ashpërsojnë masën. Mund ta shoqërojnë dhe me forcë në këtë moment, por jam i bindur se do shkojnë drejt hartimit të kërkesës në Parlament për heqjen e  imuniteti dhe marrjen e autorizimit për arrestimin e tij, nuk ka rëndësi me burg apo me arrest shtëpie, kontrollit të banesës, pronave dhe të tjerë”, tha Kara./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!