Kastriot Elezi 45 vjeç dhe Ronaldo Metushi 22 vjeç mbetën të plagosur nga atentati i ndodhur një ditë më parë në “Don Bosko” në Tiranë. Gazetari Ervin Leka tha për ABC News se gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar pavarësisht plagëve të marra.
Nga këqyrja e pamjeve filmike, dy personat kanë qenë të ulur në verandën e jashtme ku po konsumonin kafe. Dhe në këto moment është hapur zjarr ndaj tyre. Ka dyshime që pistoleta ka qenë me silenciator. Në vendin e ngjarjes u gjetën shtatë gëzhoja.
“E gjithë ngjarja është filmuar me kamera sigurie, pasi biznesi ka pasur kamera sigurie. Por për grupin hetimor është i vështirë identifikimi pasi kanë qenë të maskuar dhe nuk kanë zbritur nga automjeti. Dhe automjeti është djegur dhe ka dyshime se targat janë të dubluara…”, raportoi gazetari Ervin Leka.
Ndërkohë 15 dëshmitarë janë pyetur lidhur për këtë ngjarje.
Në dëshminë paraprake Renaldo Metushi është shprehur se është i papunë dhe ka dalë të pijë kafe me Kastriot Elezin.
Dëshmia e Ronaldo Metushit: Jam i papune dhe siç bëj zakonisht pija kafe poshtë banesë së Kastriotit tek lokali ku edhe ndodhi ngjarja. Ata të lokalit unë i njoh të gjithë pasi kam punuar para ca kohesh si kamarier aty. Për sa u përket autorëve nuk munda ti shoh pasi makina ishte me shpejtësi dhe gjithçka ndodhi për shumë pak sekonda. Kam ndjerë një dhimbje në pjesën e këmbës dhe kuptova qe jam plagosur me plumb. Unë nuk kam konflikte se di kush mund ta ketë bërë.
(Ronaldo Metushi)
Po ashtu Elezi ka thënë se është i papunë dhe thuajse çdo ditë konsumonin kafe në këtë lokal. Ndërkohë para grupit hetimor Metushi ka thënë se nuk kishte konflikte, por grupi hetimor ka dyshime se shënjestër ishte Kastriot Elezi.
Pistat e policisë janë shtrirë edhe në trafikun e lëndëve narkotike dhe po punohet për hetimin e konflikteve dhe të kaluarën e dy personave të plagosur.
/abcnews.al/