Hetimet për atentatin, dyshohet për shkak të detyrës së prokurorit ose larje hesapesh

schedule16:00 - 2 Nëntor, 2019

schedule 16:00 - 2 Nëntor, 2019

Ende nuk ka një autor të dyshuar për atentatin tek mbikalimi i Shkozetit. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës së prokurorit Arjan Ndoj, ose për larje hesapesh mes bandave. Vetë prokurori u ka thënë hetuesve se atentati nuk ka lidhje me të.

Hetimet për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj tek mbikalimi i Shkozetit janë shtrirë në dy pista.

Njëra është për shkak të detyrës së prokurorit Arjan Ndoji dhe dyshimet më të mëdha bien mbi dosjet që po hetonte ai kryesisht për tokat në bregdet për të cilat janë kryer disa arrestime në Kadastrën e Durrësit.

Kurse pista tjetër është larje hesapesh mes personave të përfshirë në aktivitete të paligjshme të grupeve kriminale. Sipas policisë, objekt i atentatit dyshohet të ketë qenë prokurori, ndryshe autorët nuk do të kishin zgjedhur të kryenin ekzekutimin e personave të tjerë në makinën e Ndojit.

Por, nuk përjashtohet mundësia që objekt i atentatit të ketë qenë edhe Aleksandër Laho i njohur ndryshe si Pëllumb Muharremi. Saktësimi i shënjestrës së atentatit mbetet i vështirë të përcaktohet për faktin se edhe vetë atentatorët mund të kenë shfrytëzuar lëvizjen e prokurorit Ndoji në të njëjtin automjet me Muharremin.

Prokurori Arjan Ndoj ka dhënë dëshminë e tij të parë për hetuesit pas ngjarjes. Ai ka treguar se para atentatit ndodhej në një restorant duke drekuar dhe aty ka mbërritur Aleksandër Laho dhe një tjetër person.

“Më pas, pasi qëndruan pak u nisën drejt Tiranës. Unë isha ulur në vendin e parë, ndërsa Maloku në drejtim të makinës. Muharreni pas. Nuk pikasëm ndonjë gjë të dyshimtë deri në momentin që jam qëlluar. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Nuk kam ndonjë të dyshuar. Nuk besoj që atentati ka të bëjë me mua”, ka pohuar prokurori, i cili ndodhet ende në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën së bashku me Pëllumb Muharremin.

Pamjet e disa bizneseve sipas hetuesve kanë fiksuar një automjet që ndjek nga pas në një distancë të afërt makinën e prokurorit.

Por mungesa e kamerave të sigurisë në vendin e atentatit e bën të pamundur përfshirjen ose jo të saj në ngjarje. Disa persona u thirrën për të dëshmuar mes tye edhe ish anëtarë të bandës e Lul Berishës, por pa ndaluar asnjërin prej tyre. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!