Edi Rama fitoi bindshëm zgjedhjet e 11 majit, për një mandat të katërt 4-vjeçar. E ndërkohë që gjithë liderët botërorë nuk nguruan që t’i përcillnin urimet për të përzemërta për fitoren, megjithatë ende nuk ka pasur asnjë reagim nga kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti.
Deputeti i PDK, Artan Berhami tha në “Balkan Update” se mos reagimi i Kurtit nuk është gjë tjetër veçse xhelozi. Artan Berhami shtoi se Kurti ka inat dhe qorton të gjithë ata personalitete që ëndërron të bëhet, duke marrë si shembull Hashim Thaçin dhe kryeministrin Rama.
“Kurti më shumë se kurrë ka pasur kohë të lirë. Po ta shikoni Kurti kohën e fundit kritikon personalitete që ka ëndërr që të bëhet si ta. Ka kritikuar Hashim Thaçin, tani të njëjtin problemin ka edhe me zotin Rama, i cili me një vizion e ka kthyer Shqipërinë në qendër të Ballkanit Perëndimor dhe Tiranën në epiqendër politike europiane. Ky është dhe problemi i Kurtit, që është inatçor për njerëzit që do të hyjnë në histori. Në histori duhet do të hysh në histori me vepra. Në faqet e ndritura të historisë hynë me vepra të mira, kurse në ato të zeza e ka vendin e vet.”
Deputeti i PDK, u ndal edhe tek puna dhe vizioni i jashtëzakonshëm i kryeministrit Rama. Shqipëria sipas tij ka fituar autoritetin e merituar dhe është bërë qendër e Ballkanit Perëndimor.
“Shqipëria ka qenë për një kohë të gjatë e paragjykuar për aftësinë e saj në politikë dhe në ekonomi, por falë Edi Ramës është kthyer dhe një herë vëmendjen e liderëve në Shqipëri. Rama është një lider që ka bashkëpunuar me shumë liderë botërorë. Kjo e ka bërë Tiranën një qendër perëndimore. Ka krijuar një platformë të përbashkimit. Kjo e ka ngritur Shqipërinë gjithmonë në nivel që ka merituar gjithnjë.”/abcnews.al