Heqja e pjesshme e tarifës ndaj produkteve serbe shkakton krisjen e parë të koalicionit

schedule23:23 - 27 Shkurt, 2020

schedule 23:23 - 27 Shkurt, 2020

Vendimi i qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifës ndaj produkteve serbe ka shkaktuar krisjen e parë të koalicionit Vetëvendosje-LDK.
Zv, kryeministri i parë i Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti paralajmëroi tërheqjen nga qeveria nëse tarifa, nuk hiqet pa kushte. “A mund të qeverisësh suksesshëm një qeveri e cila nuk e ka mbështetjen e SHBA’ve? Në një qeveri të tillë LDK nuk rrin. LDK nuk rri në qeveri nëse nuk hiqet taksa pa kushte. Një qeveri e cila e izolon veten, nuk mund të çojë përpara agjendën e Kosovës. Unë kam qenë në dakordim për t’i diskutuar kushtet. Nuk është qëndrim i dakorduar nga ne vendimi i Kurtit lidhur me taksën”, u shpreh ai.

Me reagim të ashpër, ky vendim u prit edhe nga ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Ai e quajti pasardhësin e tij në qeveri, mashtrues.

“Sonte Albin Mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia”.

Ndërkaq, kreu i PDK Kadri Veseli shkruan në Facebook se Kosova është e rrezikuar nga Albin Kurti.

“Si opozitar, Albini ishte në gjendje ta digjte Kosovën dhe të përdorte dhunë dhe jetë të rinjsh idealistë për të ardhur në pushtet. Ndërsa sot, kur udhëheq Qeverinë, ideali i tij po shihet se është vetëm mbajtja e pushtetit. E mendonte veten si më të mençurin dhe më të fortin; Po del që është edhe i padijshëm, edhe i dobët, edhe mashtrues, dhe që Kosova në krye me të mund të rrezikohet seriozisht”.

Tarifa 100 për qind ndaj produkteve serbe u vendos në kohën kur Haradinaj ishte kryeministër, ç’ka u pasua edhe me ngecjen e dialogut Prishtinë-Beograd. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!