Heqja e imunitetit të Ahmetajt/ Korreshi: Jam i habitur me votat abstenuese, kjo u mbetet atyre ta shpjegojnë

schedule13:38 - 14 Korrik, 2023

schedule 13:38 - 14 Korrik, 2023

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë i hapi sot rrugë arrestimit të ish-ministrit të Financave dhe të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Nga 119 deputetë të pranishëm në sallë, 117 deputetë votuan pro, ndërkohë tre deputetë të tjerë  përkatësisht, Vangjel Dule, Fatmir Mediu, dhe Agron Duka abstenuan.

Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi, në intervistë për “Tirana Live” në ABC News tha se ndjehet i habitur për tre vota abstenim, por megjithatë shtoi se kjo është çështje, e cila duhet ta shpjegohet nga vetë protagonistët.

“ Jam pak i habitur, por nuk kisha dyshim prej pjesës tjetër të PS, duke qenë se në Këshillin e Mandateve ka qenë 10 me 0 në vota për heqjen e imunitetit. Ne kemi kërkuar që duhet t’i ishte hequr me kohë dhe nuk duhej ta linim për të hënën. Nuk ishte surprizë seanca e sotme, përveç fatit të tre abstenimeve, që ato do t’i shpjegojnë vetë. Jemi edhe ne të habitur dhe realisht nuk e kemi informacionin, sepse nuk ka pasur koordinim paraprak nga kolegët deputetë. Gjithsesi është pak e habitshme abstenimi i tyre”, tha ai.

Deputeti theksoi se duhet përshëndetur puna e SPAK, që sipas tij ka kryer një hetim të thelluar për Arben Ahmetajn.

“Jemi përballë këtij fakti dhe duhet të përshëndesim punën që ka bërë SPAK në këtë moment, të tjerat harrohen. Sot SPAK më shumë se kurrë ka treguar se ka bërë një hetim të thelluar”, tha ai.

Deputeti Korreshi tha se ende s’e ka lexuar dosjen e plotë të SPAK, por shtoi se nëse do ketë emra nga e djathta të përfshirë në këto hetime, ai do të votonte njësoj siç ka bërë në rastin e Ahmetajt.

“Dosjen për sa kam lexuar nuk ka nga opozita. Sa kam lexuar unë dosjen, që është 320 faqe dhe nuk kam arritur ta përmbylli, deri tani nuk kam konstatuar koleg dhe ish-koleg nga e djathta deri në këtë moment. Mund të ketë, por deri tani nuk kam parë dhe skam konstatuar gjë, por edhe po të kishte do ta thosha se do jeni të bindur dhe do ta mbështesja për heqjen e imunitetit edhe sikur të ishte nga ana e opozitës. Do të votoj në të njëjtën mënyrë nëse do ishin të njëjta prova dhe fakte si me z. Ahmetaj, do më vinte keq për një koleg, por kurrsesi nuk mund të kisha qëndrim ndryshe për heqjen e imunitetit. Unë mendoj se nga ana e mazhorancës nuk është mbyllur, por do ketë surpriza. Për mua hetimi nuk është mbyllur, nuk është përmbyllur”, tha Korreshi./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!