Hepatiti i panjohur, OBSH: 169 fëmijë të prekur në 12 vende, transplant për 17 fëmijë, një ka ndërruar jetë

schedule15:45 - 24 Prill, 2022

schedule 15:45 - 24 Prill, 2022

Një hepatit me origjinë të panjohur po prek fëmijët.  169 të mitur nga një muaj deri në 16 vjeç  sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë zbuluar në 12 vende të botës.  Një ka humbur jetën ndërsa 17 të tjerë  i janë nënshtruar transplantit të mëlçisë.

Sipas OBSH është ende e paqartë nëse janë shtuar të prekurit me hepatit apo është rritur  ndërgjegjësimi dhe po zbulohen raste të padiagnostikuara.

Adenovirusi  është një prej hipotezave ndërkohë që autoritetet shëndetësore po hetojnë për shkakun  e tij.

Në Britaninë e Madhe dhe Holandë vihet re qarkullim i ndjeshëm i tij. Testet zbuluan 74 raste. Në 19 prej tyre u konstatua  Covid dhe adenovirus.

Shumë prej të prekurve  kanë raportuar shqetësime gastrointestinale si  dhimbje barku, diarre dhe të vjella. Shenja  që i paraprinë hepatit të rëndë akut dhe rritje të niveleve të enzimave të mëlçisë.  Shumica e të sëmurëve nuk kishin temperaturë thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Viruset e zakonshme që shkaktojnë hepatitin akut viral sipas saj nuk u zbuluan në asnjë nga këto raste. Ndërkohë OBSH thotë se as udhëtimet ndërkombëtare apo lidhjet me vende të tjera bazuar në informacionet e disponueshme aktualisht nuk janë identifikuar si faktorë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!