Helikopteri rus rrëzohet pranë Kievit

schedule15:38 - 24 Shkurt, 2022

schedule 15:38 - 24 Shkurt, 2022

Një helikopter rus është rrëzuar pranë Kievit.

Videon e rrëzimit e ka verifikuar BBC, megjithatë nuk dihet se kush është  burimi i videos.

Ndërsa komandanti i përgjithshëm ukrainas, gjeneral Valerii Zaluzhnyi ka konfirmuar se ushtria po lufton forcat ruse për kontrollin e aeroportit në rajonin e Kievit, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Lexo edhe: Kievi shpall shtetrrethim, thirrje ukrainasve: Mos dilni nga shtëpia në këtë orar

Hostomel është aeroporti më i rëndësishëm ndërkombëtar i mallrave në Ukrainë, si dhe  baza ajrore kryesore ushtarake. Është gjithashtu baza e aeroplanit më të madh të mallrave në botë, Mriya.

Ndërkohë më herët ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se Rusia do të jetë gjithmonë e gatshme për dialog, pavarësisht se forcat ruse kanë nisur sulm ndaj Ukrainës.

“Fatkeqësisht, miqtë tanë perëndimorë nuk e respektojnë ligjin ndërkombëtar, duke tentuar ta shkatërrojnë atë dhe të promovojnë atë që e quajnë ‘rend të bazuar në rregulla”, ka thënë Lavrov për agjencinë shtetërore të lajmeve, Ria Novosti.

“Ne kemi pasur diskutime intensive dhe të detajuara me kolegët tanë amerikanë, dhe anëtarët tjerë të NATO-s”, ka thënë ai.

Lavrov ka thënë se Rusia do të jetë “gjithmonë e gatshme për dialog, që do të na kthejë te drejtësia dhe parimet e kartës së Kombeve të Bashkuara”.

Nga ana tjetër presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka njoftuar se ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Moskën dhe u ka bërë thirrje qytetarëve ukrainas të mbrojnë shtetin kundër sulmit rus, duke thënë se do ofrohen armë për t’iu bashkuar luftimeve. Zelenskiy i ka thënë kombit se Ukraina ka përjetuar “humbje serioze” nga sulmet ruse dhe ka bërë thirrje për donacione të gjakut.

/abcnews.al/