Juristi Isuf Shehu foli në Radarin Informativ me moderatoren Juli Xhokaxhi në lidhje me hartën e re gjyqësore të prezantuar ditën e sotme. Shehu tha se kjo reformë e re do të krijojë stok të dosjeve për shkak të vakancave që janë krijuar në radhët e gjyqtarëve.
“Kjo reformë do të krijojë stok të dosjeve. Nuk e di se si kjo formulë që kanë propozuar kryetarja e KLGJ dhe ministri i drejtësisë do arrijë të funksionojë. Ne kemi pakësim të personelit gjyqësor. Dhe do kemi vetëm një gjykatë apeli.
Ne nuk kemi personel gjyqësor. Nuk kemi gjyqtarë. Sot kemi gati gjysmën e atyre që kishim dje. Ne jemi në vazhdim e sipër të një reforme në lidhje me vettingun e magjistratëve”, tha Shehu.
Ai foli edhe për nevojën e përshtatjes së hartës gjyqësore me karakterin territorial duke theksuar se ato nuk mund të merren shembull në një vend tjetër.
“Duhet të kemi parasysh që reformat e karakterit territorial nuk mund të kopjohen dhe nuk mund të merren shembull në një vend tjetër. Ne duhet t’i përgjigjemi nevojave dhe trendit social. Duhet të bazohemi në një studim të mirëfilltë social dhe kulturor. Që kjo të përcaktojë një politikë të caktuar të legjislativit. Nëse ne kufizojmë prokurorinë dhe gjyqësorin jeta e qytetarëve mund të jetë më e vështirë dhe më e kushtueshme”, tha ai.
Harta e re parashikon 12 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, ndërsa 1 gjykatë do të jetë apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe atë administrativ. Ndërkohë për sa i përket gjykatave administrative, KLGJ propozon që të ketë vetëm 2: Gjykata Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykata Administrative të Shkallës së Parë Lushnje. Ndërkohë do të ketë dhe një gjykatë Administrative Apeli. m.v/Abcnews.al