“Harta e copëtuar e Kosovës”, Haradinaj kërkon reagimin e Albin Kurtit

schedule09:40 - 15 Prill, 2021

schedule 09:40 - 15 Prill, 2021

Ish-kryediplomatja Meliza Haradinaj-Stublla ka kërkuar reagimin e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me publikimin në disa media të shteteve të Ballkanit Perëndimor të hartave ku shfaqet Kosova pa komunat veriore. Haradinaj thotë se “kjo hartë e “freskët” që ka disa ditë që po qarkullon nëpër media, krijon ndjenjë të tmerrshme dhe të kthen pas në vitet kur Kosova e vogël luftonte “e përçarë për së brendshmi” për të mos u copëtuar”.

“SKENAR I RI, QËLLIM I VJETËR! Kjo hartë e “freskët” që ka disa ditë që po qarkullon nëpër mediet e disa shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndjellë ndjenjë të tmerrshme tek më kujtohen ditët e 2018/2019 kur Kosova e vogël luftonte “e përçarë për së brendshmi” për të mos u copëtuar! Përderisa kjo hartë monstruoze po riaktualizohet në secilin debat e medium në Ballkan, e në qarqe diplomatike përmes gjoja një “non-paper” që Sllovenia do t’i dorëzojë BE-së me fillimin e Presidencës së saj të Këshillit të BE-së në korrik, është e pakuptimtë se si Prishtina zyrtare mund të qëndrojë tërësisht e heshtur përballë pretendimeve të tilla territoriale nga shteti fqinj e armiku i vjetër, Serbia.

Harta të këtilla që qarkullojnë edhe jozyrtarisht, duhet të na alarmojnë të gjithëve, e veçanërisht Kryeministrin Kurti, të cilit edhe i takon t’a udhëheqë dialogun me Serbinë, se duhet t’a marrë ketë temë më seriozisht, dhe t’u japë përgjigje të prerë të gjitha këtyre kërcënimeve për sovranitetin, integritetin territorial, dhe paqen e stabilitetin në vendin tonë. Me situatën ende të rëndë pandemike në botë, me vështirësinë e qasjes së barabartë në vaksina, me dobësimin ekonomik e financiar në mbarë botën, dhe me krizat e reja të sigurisë në Ukrainë, Afganistan, e Jemen që secilën ditë e më shumë po marrin vëmendjen e aleatëve tanë, Kosova NUK E KA KOMODITETIN të heshtë e të pretendojë se nuk i dëgjon e sheh këto diskutime që po rikthehen me shpejtësinë e dritës, ngjashëm si para 2 viteve.

Nuk duhet të harrojmë që Kancelarja Merkel shumë shpejtë do përfundojë mandatin e saj, dhe Kosova do t’a ketë shumë të vështirë t’a gjejë një zë poaq të fuqishëm në Evropë, për të kundërshtuar e dështuar ide të tilla monstruoze që rrezikojnë sigurinë në Ballkan, rikthejnë tragjeditë e së kaluarës në rajonin tonë, rrezikojnë zhbërjen e disa shteteve të dalura nga ish-Jugosllavia, duke hapur kutinë e Pandorës për ri-vizatimin e kufijve në të gjithë Ballkanin.

Nga përvoja e para 2 viteve, kur Kosova u gjet përballë këtij rreziku fatal, reagimi i ashpër dhe i hershëm kundër kësaj ideje, ishte ven dimtar në shuarjen e të gjitha shkëndijave që mëtonin të ndiznin zjarrin në Kosovë e rajon. (https://news1.mk/archives/25643)”, shkruan ajo./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!