Harden ndjek rekordet

schedule13:05 - 15 Janar, 2019

schedule 13:05 - 15 Janar, 2019

James Harden pati një mbrëmje të madhe në basketbollin amerikan. Kapiteni i Houstonit po ndjek një rekord të legjendës Wilt Chamberlain.

E kanë quajtur edhe si lojtarin ofensiv më të mirë të historisë. Është apo nuk është i tillë, padyshim që James Harden po shkëlqen si pak të tjerë, dhe po ndjek rekordin e një legjende të së kaluarës. Ai shënoi 57 pikë në suksesin e Houstonit ndaj Memfisit, 112-94, dhe kjo ishte ndeshja e 17-të radhazi që realizon mbi 30 pikë.

Kapiteni është vetëm 3 ndeshje radhazi nga rekordi i NBA-së që nga viti 1964, i mbajtur nga Wilt Chamberalain. Po ashtu, Hardeni ka shënuar mbi 40 pikë në 8 nga 11 sfidat e fundit, dhe e treta herë që kalon shifrën 50 pikë në këtë sezon. Rekordi i tij i karrierës është 60 pikë, realizuar Janarin e kaluar ndaj Orlandos.

U desh një paraqitje e tillë që Houstoni të përballonte, madje të fitonte një ndeshje ku nuk luanin tre prej titullarëve kryesorë. Qendra Klint Kapela u bashkua me të dëmtuarit e tjerë, Kris Pol dhe Erik Gordon, duke qenë më të rëndësishmit në ekip bashkë me Hardenin.

Lideri i skuadrës nga Teksasi është shënuesi më i mirë i sezonit në NBA, me plot 34.4 pikë për ndeshje, dhe vlerësohet si lojtari numër 1 deri tani. Fitorja bëri që Houstoni të jetë në vendin e katërt në Konferencën Perëndimore, një përmirësim i madh, pas një fillimi të keq./abcnews.al