Qëndrimi i Ramush Haradinajt për një marrëveshje me Serbinë, që perfshin ndryshim të kufijve të Kosovës është i ndryshëm nga ai i Hashim Thaçit. Nga Vlora ai deklaroi se kufijtë nuk lëvizen me fjalë.
Për Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, hapja e temes së korrigjimit të kufijve është e papranueshme. Gjatë një vizite surprizë në Vlorë ai mbajti qëndrim të ndryshëm nga ai i Presidentit Thaçi.
Haradinaj tha se kufijtë nuk vendosen me fjalë, deklarime të njëjta me ato që më herët kishte dhënë në Prishtinë.
“Hapja e temës së kufijve e papranueshme për mua. Për popujt e Ballkanit luftërat kanë qenë tragjike. Hapja e temës së kufijve është e papranueshme për mua. Kufijtë nuk lëvizen me fjalë”
Por sipas kryeministrit të Kosovës më e rëndësishme është vendimi për doganat në 1 Janar.
“Ajo që jam pro është që në 1 janar të heqim doganën mes Kosovës dhe Shqipërisë”.
Haradinaj u prit nga kryetari Bashkisë së Vlorës Dritan Leli dhe ministri i Diasporës Pandeli Majko. Mes batutave dhe humorit, iu bë dhurate portreti i Ismail Qemalit.
Sipas axhendës, Haradinaj vizitoi edhe Monumentin e Pavarësisë, varrin e Ismail Qemalit, si dhe Muzetë Historikë dhe ate të Pavarësisë.
Haradinaj më 26 nëntor 2012 ka marrë titullin Qytetar Nderi i Vlorës, por nuk ishte i pranishëm në ceremoni./ abcnews.al