Hapja e negociatave, Merkel: Gjithçka varet nga Bundestagu

schedule22:37 - 18 Shtator, 2019

schedule 22:37 - 18 Shtator, 2019

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se vendimi i Gjermanisë për hapjen e negociatave varet nga Bundestagu. Merkel tha se qeveria e saj ka bërë një rekomandim pozitiv, por ka refuzuar të flasë në emër të vendeve të tjera qe njihen si skeptike për këtë proces.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se qeveria e saj e ka bërë rekomandimin sa i takon hapjes së negociatave të anëtarësimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministren serbe Brnabiç, Merkel ka thënë se tani i takon Parlamentit gjerman që të thotë fjalën e fundit.

“Aktualisht po vijojnë bisedimet në Bundestag. Në Gjermani është Bundestagu që duhet të bjerë dakord për të filluar negociatat e anëtarësimit. Qeveria gjermane ka bërë rekomandime pozitive me specifikat e veta për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por nuk mund të them paraprakisht rezultatin e vendimit të Bundestagut”.

E pyetur nga mediat, Merkel ka refuzuar të flasë në emër të vendeve të tjera, si Franca apo Holanda.

“Nuk mund të them asgjë për vendet e tjera. Ato shtete do vendosin vetë”.

Vendimi për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pritet të merret në Tetor. Deri më tani në avantazh ndodhet shteti maqedonas, për shkak të arritjes së marrëveshjes së emrit me Greqinë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!