Hapet qendra e integruar Adisa në ish-kombinat

schedule14:44 - 19 Korrik, 2019

schedule 14:44 - 19 Korrik, 2019

Po krijojmë vizionin e Tiranës policentrike. Deklarata vjen nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj i cili mori pjesë në hapjen e qendrës së integruar adisa në Kombinat.

Qytetarët e Kombinatit do t’i marrin më afër shërbimet e kërkuara. Në këtë zonë bashkia në bashkëpunim me qeverinë dhe mbështetjen financiare të Bankës Botërore ka hapur Qendrën e Integruar ADISA e cila ofron mbi 368 shërbime publike.

“Ky bashkëpunim mes qeverisë qendrore me qeverisë lokale e sheh rezultatin në këtë hapësirë. Dilema është: shkojnë njerëzit te shërbimet, apo shërbimet te njerëzit? Besoj sot jemi përgjigjur qartë: shkojnë shërbimet ku janë njerëzit, shkon shteti te njerëzit, shkon qeveria, bashkia, deputetët, dhe të gjitha institucionet e tjera që kanë shërbime konkrete dhe të prekshme për qytetarët. Me zgjidhjen e kësaj dileme kemi një hapësirë të transformuar për Njësinë 6”, tha Veliaj.

Një nga projektet e Bashkisë së Tiranës që do të marrë jetë këtë katërvjeçar është edhe krijimi i Tiranës policentrike, ku përfshihet qendra e Kombinatit. Për këtë, Bashkia e Tiranës do të zhvillojë një konkurs për sheshin “Garibaldi”.

“Me gjithë këto ndërtesa të trashëgimisë industriale shqiptare, pavarësisht se si rrodhën ngjarjet me ndërrimin e sistemit, duam që ta kthejmë pjesën e Kombinatit në një pjesë jo vetëm që të ruhet, por  të restaurohet. Ata që i kanë zënë në vitet e fundit këto ndërtesa, do të trajtohen në një mënyrë sociale, pra o me një bonus qiraje, o me kredi të butë, ose me një banesë sociale. Duhet që ky shesh që është, le të themi, simbolikë e asaj që kemi si vizion i Tiranës policentrike, të materializohet. Do të kemi tre konkurse: Kinostudio, Kombinat dhe Laprakë”, tha kryebashkiaku.

Kryebashkiaku i Tiranës u shpreh se ndryshimi do të vijojë në çdo zonë të Tiranës./ABC News Albania 24/7