Hapet këndi i dytë më i madh i lojrave për fëmijë

schedule15:15 - 2 Qershor, 2019

schedule 15:15 - 2 Qershor, 2019

Hapet këndi i dytë më i madh për fëmijë në pjesën jugore të Parkut të Liqenit Artificial në Tiranë.  Sipas kryetarit të bashkisë Erion Veliaj ky park do të kthehet në një nga vendet më të pëlqyera për fëmijët.

E nisi punën me të ardhmen e kryeqytetit dhe po e mbyll po me ta. Erion Veliaj inauguroi këndin e dytë të lojrave për fëmijë në parkun e liqenit artificial në Tiranë dhe thotë se nuk ka mënyrë më të mirë për të mbyllur katër vite në krye të bashkisë.

Me gjasë, pasi të hapet dhe ta marrë vesh gjithë mëhalla, do jetë një ndër vendet më të frekuentuara e të suksesshme në Tiranë. Nuk besoj se kishte një mënyrë më të mirë për ta mbyllur këtë 4 vjeçar, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, se sa me një kënd lojrash për fëmijë. Ky është këndi ynë i 44. Pra, në rreth 44 muaj punë, kemi bërë nga një kënd në çdo muaj”, tha Veliaj. 

Ky kënd lojërash vjen në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim dhe i ka ndryshuar pamjen pjesës jugore të këtij parku.

 “Ky cep konsiderohej pjesë e degjeneruar, i përkiste komunës Farkë, as nuk mendohej fare që do kishim një hapësirë kushtuar fëmijëve, për gjithë komunitetin e zonës së Kopshtit Zoologjik, Kopshtit Botanik, gjithë pjesa e autostradës jugore.”, tha ai.

Kryetari i bashkisë së Tiranës premtoi se punët e nisura nuk do ti lë në mes.

 “Mezi pres që në 4 vitet e ardhshme ta vazhdojmë këtë punë. Kur filluam pastrimin, të gjithë ashtu siç është bërë e udhës thoshin: Mos ma prek liqenin! Gjithmonë thoja: Ore dakord, kështu thoni, mos ma prek atë, mos ma prek sheshin, mos ma prek pazarin, mos ma prek bulevardin, mos ma prek parkun. Në këtë shtëpinë tonë të madhe, po të ishte për të mos prekur gjë me dorë, do ishte fyerje. Pikërisht, se vëmë dorë, prekim gjëra me dorë dhe i përmirësojmë, kemi sot një rezultat më të mirë”.

Ndërkohë Veliaj i bëri thirrje qytetarëve të mirëmbajnë investimet e kryera ndërsa u shpreh se me të njëjtin zell që i  ndërtuan, me të njëjtin zell do ti mbrojnë./ABC News 24/7