Hansi Mara në gjurmët e mundësve të mëdhenj shqiptarë

schedule18:02 - 18 Dhjetor, 2018

schedule 18:02 - 18 Dhjetor, 2018

Mundja shqiptar po përpiqet të rikthejë sukseset e arritura nga Elis Guri dhe Sahit Prizreni. Një nga djemtë më të dalluar të brezit të ri është Hansi Mara i Teutës së Durrësit.

Është ende tepër i ri, por sukseset nuk mungojnë. Quhet Hansi Mara, është 19 vjeç dhe ia ka dalë të shpallet nënkampion i Ballkanit dhe kampion i Shqipërisë në mundje. Sukses i rëndësishëm për një djalë nga zona e Shijakut, që prej vitesh është lodhur me rrugën vajtje-ardhje për Durrës, për të realizuar ëndrrën. Në përbërje të një skuadre me shumë tradita si Teuta, me trajner Sinan Trimin, ambiciet e tij nuk mbeten me kaq.

“Me një stërvitje të fortë të drejtuar nga profesori im Sinan Trimi në fund ia arritëm qëllimit. Kemi dhe ne synimet tona. Përveç se të shpallesh kampin Shqipërie tani duhet me mendu edhe për në Europë, botë dhe kampionate olimpikë. Me pak ndihmë nga shteti ne mundësat e Shqipërisë do ia arrijmë ta ngremë flamurin e Shqipërisë dhe më lart”, u shpreh Mara.

Hansi ka një falenderim të veçantë për trajnerët, por po ashtu për familjen që e ka mbështetur deri në fund, edhe pse e ka pasur të vështirë.

“Me mundje kam 10 vite që merrem. Qysh fëmijë i vogël vija vetë nga larg për të bërë stërvitje sepse e kishim pasion. Unë kam qejf sportet e egra të hyja me boksin. Babai nuk më la se jo vritesh, çahesh dhe më futi me mundjen”, tha Mara.

Meritë për suksesin e tij dhe të sportistëve të tjerë të Teutës, ka trajneri Sinan Trimi, njeri i mundjes që prej vitit 1982.

“E përgëzoj shumë për rezultatin që ka arritur. Mua më ka dhënë një kënaqësi dhe jam krenar për këtë mundës. Është shpallur kampion viti i dytë për të rritur dhe nënkampion ballkani. Kjo tregon që këtu bëhet punë, derdhet djersë. Jam shumë i kënaqur nga çunat, nga të gjithë”, tha Sinan Trimi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!