Hamasi: Të gatshëm të dorëzojmë armët nëse krijohet shteti palestinez

schedule11:41 - 25 Prill, 2024

schedule 11:41 - 25 Prill, 2024

Një zyrtar i lartë i Hamasit tha për Associated Press se grupi i armatosur palestinez është i gatshëm për një armëpushim prej pesë vitesh ose më shumë me Izraelin dhe do të dorëzojë armët nëse një shtet i pavarur palestinez krijohet në kufijtë e vitit 1967.

Propozimi për dorëzimin e armëve është historik pasi grupi i armatosur ka deklaruar qëllimin e tij për të shkatërruar Izraelin. Megjithatë, propozimi nuk pritet të pranohet nga Izraeli, i cili është zotuar të shkatërrojë Hamasin pas sulmeve të 7 tetorit.

Al-Hayya shtoi se Hamasi është i gatshëm për “një shtet plotësisht sovran palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës dhe kthimin e refugjatëve palestinezë në përputhje me vendimet ndërkombëtare”.

“Të gjitha përvojat e grupeve që luftuan kundër pushtuesit, kur u bënë të pavarur dhe fituan të drejtat e tyre dhe vendin e tyre, çfarë bënë këto forca? Ata u bënë parti politike dhe forcat e tyre mbrojtëse luftarake u bënë ushtria kombëtare,” shtoi ai.

Përfaqësuesi i Hamasit tha se grupi terrorist do të bashkëpunojë gjithashtu me Autoritetin Palestinez, rivalin e tij politik prej kohësh, në mënyrë që të formojë një qeveri për një shtet të sapokrijuar palestinez.

Veçanërisht, al-Hayya tha se shteti në fjalë do të përfshinte si Rripin e Gazës, ashtu edhe Judenë dhe Samarinë, që do të thotë se qeveria izraelite do të duhej të hiqte dorë nga ai territor.

Por udhëheqja aktuale izraelite është kategorikisht kundër krijimit të një shteti palestinez në territoret e pushtuara nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.

/abcnews.al