Në kuadër të masave reciproke ndaj vendeve që i dëbuan diplomatët, qeveria ruse ka rritur dozën e largimeve duke u komunikuar ambasadorëve të 23 vendeve, përfshirë Shqipërinë, urdhërin për reduktimin e stafit diplomatik.
Rusia ka urdhëruar dëbimin e një dyzine diplomatësh nga 23 vende, kryesisht perëndimore, si kundërpërgjigje ndaj largimit të diplomatëve të saj për shkak të helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal në Angli. Lëvizja vjen një ditë pas vendimit për dëbimin e 60 diplomatëve amerikanë dhe urdhërit për mbylljen e konsullatës së SHBA në Shën Peterburg.
Të premten, qeveria ruse thirri për një takim ambasadorin britanik për t’i komunikuar urdhërin për shkurtimin e stafit në të njëjtin nivel me atë të pranisë ruse në Mbretërinë e Bashkuar. Të dyja vendet kanë dëbuar secili nga territori përkatës 23 pjesëtarë të stafeve, ndërkohë që Moska zyrtare ka urdhëruar edhe mbylljen e Këshillit Britanik, një institucion që promovon kulturën.
Po të premten, ambasadorët nga Shqipëria, Australia, Kanadaja, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Maqedonia, Moldavia, Holanda, Norvegjia, Polonia, Rumania, Spanja, Suedia dhe Ukraina morën urdhër që të reduktojnë stafet në të njëjtin nivel me atë të pranisë ruse në vendet e tyre./abcnews.al