“Haj pilaf me kos para ndeshjeve”, Gurishta: Vllaznia si Milani, dua Kukësin në vend të dytë

schedule12:17 - 10 Janar, 2021

schedule 12:17 - 10 Janar, 2021

Vllaznia këtë sezon është në formën më të mirë të 10 viteve të fundit dhe deri më tani janë në rrugën e duhur për të fituar titullin kampion. Në ndeshjen e fundit shkodranët morën një fitore shumë të rëndësishme me Teutën dhe u shkëputën 9 pikë nga kreu.

Në lidhje me kampionatin, por edhe me ecurinë e tij personale për Supersport ka folur Erdenis Gurishta. Kapiteni i shkodranëve shprehet se 9 pikë nuk mjaftojnë dhe gjithashtu tregon edhe disa sekrete të tij siç është të ngrënit gjithmonë pilaf me kos para ndeshjeve.

SHKËPUTJA – Të jem realist nuk e prisja të shkëputeshim 9 pikë kaq shpejt, por kemi punuar shumë dhe mendoj se të gjithë rezultatet që kemi arritur, i kemi të merituara. Shpresoj të vazhdojmë në këtë rrugë deri në fund të sezonit, pasi kanë kaluar vetëm 13 javë.

 

FUTBOLLI NË BOTË – Ndjek më shumë kampionatin italian dhe atë anglez. Jam tifoz me Juventusin, por shoh një Milan të ngjashëm me Vllazninë në Shqipëri. Një skuadër me histori, që dëshiron të rikthehet te sukseset e munguara në vitet e fundit dhe që bën futboll të bukur.

FORCA E VLLAZNISË – Të them të drejtën fillova të besoj pas ndeshjes së javës së tretë, kur mposhtëm Tiranën, të gjithë mund të thonë se fituam me fat, pasi shënuam në minutën e 97, por e kërkuam golin deri në fund dhe ia dolëm. Aty mendova që kjo skuadër i ka të gjitha mundësitë për të bërë diçka shumë të mirë këtë sezon.

TRAJNERI BRDARIÇ – Trajneri është shumë i zoti dhe përveçse drejtues, është edhe shok i yni. Ka marrëdhënie shumë të mira me të gjithë futbollistët dhe na qëndron pranë, ndaj mendoj se kjo ka ndikuar jo pak në forcimin e grupit. Ka ide të qarta për lojën dhe kemi punuar shumë mirë gjatë fazës përgatitore, për të përvetësuar konceptet dhe kërkesat e tij.

Pa u ulur aspak meritat trajnerëve të mëparshëm, Brdariç ka sjellë një frymë të re në ekip. Kërkon të bëjmë një lojë sulmuese, me shumë lojtarë në mesin e fushës dhe me presing lart për të vënë në vështirësi kundërshtarët.

Falë trajnerit dhe ideve të tij, ne po luajmë një futboll shumë të bukur, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi nuk kemi arritur asgjë dhe duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës.

 

EUFORIA – I druhem pak euforisë, pasi tifozët na kanë shpallur kampionë që tani, por duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, sepse 9 pikë nuk janë asgjë. Luajmë 3 herë në javë dhe mjafton të gabosh në tre ndeshje, që për një javë ta shohësh veten në vendin e dytë.

PAGESAT – Për sa kohë që jemi pjesë e bashkisë, ka probleme me vonesat, por asnjëherë mosmarrje të pagave. Nuk ka asnjë futbollist që të thotë se nuk kam marrë një apo dy rroga te Vllaznia. Ka vonesa burokratike, por si nga bashkia, ashtu edhe nga sponsori, na është dhënë garanci dhe të gjithë jemi të qetë.

FILLIMET – Kam pasur një ecuri shumë të mirë te akademia e këtij klubi dhe kam fituar trofe, ndërsa shpesh kam mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Shiriti në ekipin e parë është një ëndërr për mua dhe dua ta nderoj sa më shumë fanellën e kësaj skuadre në fushë.

KËMBA E MAJTË – Nuk është e vërtetë, pasi nuk e kam këmbën e majtë vetëm për mbështetje, por edhe për të luajtur futboll. Kam luajtur shpesh mbrojtës i majtë dhe e përdor mjaft mirë edhe atë këmbë.

 

PILAF ME KOS PARA NDESHJES – Është e vërtetë që një ndër gjellët e preferuara para ndeshjes është orizi dhe duke qenë se jam edhe pak supersticioz, nuk e ndërroj asnjëherë.

E ARDHMJA – Në Shqipëri dua të luaj vetëm për Vllazninë, ndërsa jashtë të shohim si do vijnë gjërat. Do të doja të provoja veten në një kampionat më të fortë, por fillimisht jam i përqendruar vetëm te Vllaznia dhe të bëj mirë këtu.

TRATATIVAT – Partizani kërkoi blerjen e kartonit, por nuk pati dakordësi për vlerën. Te Tirana më kërkuan vetëm për eliminatoret e Ligës së Kampionëve, por sërish nuk pati marrëveshje mes drejtuesve.

RIVALI KRYESOR – Unë dua që ne të dalim të parët dhe më pas të tjerat le të rivalizojnë për vendin e dytë. Do të doja Kukësin në vendin e dytë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!