Hahn takon Ramën: Ka progres me drogën dhe azilantët

schedule13:40 - 9 Nëntor, 2017

schedule 13:40 - 9 Nëntor, 2017

Eurokomisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn erdhi në Shqipëri në një periudhë të nxehtë debati politik, ku opozita akuzon mazhorancën për lidhje me krimin. Pas një takimi me Kryeministri Rama, Hahn theksoi se vlerësimi për çeljen e negociatave bazohet mbi fakte dhe jo thashetheme. Përballë deklaratave të opozitës se reforma në drejtësi ka rënë, eurokomisioneri mori në mbrojtjen vettingun, duke nënvizuar ekspertizën e lartë të vëzhguesve të ONM-së, që janë garantët e proçesit.

Kryeministri Rama priti në një takim eurokomisionerin për Zgjerim Johannes Hahn, të cilit ia bëri të qartë edhe përpara kamerave, se i konsideron të plotësuara detyrat që i kishte lënë Brukseli për hapjen e negociatave.

Hahn pranoi se është bërë progres. Përmendi si suksese luftën ndaj kanabisit dhe reduktimin e azilkërkuesve. Eurokomisioneri nënvizoi se BE vlerëson bazuar mbi fakte dhe jo thashetheme, dy fjalë kyçe këto përdorura gjërësisht edhe nga mazhoranca, në debatin e saj të javëve të fundit me opozitën, përballë akuzave për lidhje me krimin.

Rama i rikujtoi edhe njëherë Brukselit se Vettingu që i kërkonin me ngulm, tashmë ka nisur.

Ndërsa Johannes Hahn nënvizoi ekspertizën e anëtarëve të ONM-së që do të mbikqyrin vettingun, një mesazh që u duk se kishte për adresë dy selitë opozitare, të cilat pas çështjes Tahiri kanë deklaruar se reforma në drejtësi ka rënë.

Eurokomisioneri kërkoi që Europa të jetë një objektiv kombëtar ku të bashkohet e gjithë shoqëria.

Kryeministri e garantoi se do të kërkojë sa më shumë konsensus për ambicjen europiane, ndërsa tregoi se ndryshimi i drejtimit të erës në Bruksel e bënte optimist./abcnews.al

 

https://youtu.be/ozvpXq7QWAU

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!