Në një intervistë ekskluzive për “ABC News”, komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Johannes Hahn ka deklaruar se vendimi i Këshillit Europian për caktimin e datës së negociatave ishte një sinjal serioz. Sipas tij, tani i takon klasës politike shqiptare që të marrë seriozisht të ashtuquajturën “periudha e skanimit”, ku do të bëhet vlerësimi i punës së bërë dhe asaj që do të bëhet përgjatë vitit të ardhshëm.
Dje vendimi i KE shtroi rrugën për hapjen e negociatave, por ishte një vendim i kushtëzuar, pasi i kërkohet Komisionit të mbikëqyrë reformat dhe rezultatet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Dhe kjo më pas do të shqyrtohet dhe miratohet nga Këshilli. Në këto kushte e cilësoni një dritë jeshile simbolike apo të mirëfilltë?
Hahn: “Është një dritë jeshile sepse u duk qartë se ne vendosëm për përgatitjen e hapjes së negociatave në qershor 2019. Dhe kjo është një qasje realiste edhe sa i takon afateve, pasi një tjetër element i vendimit të djeshëm është se Komisioni do të fillojë punën përgatitore për hapjen e negociatave dhe neve tani na duhet të fillojmë me procesin e skanimit për kapitujt e ndryshëm, që janë 35. Ndaj duhet të shohim se ku është vendi në përmbushjen e kapitujve, të lidhur me normat legjislative europiane. dhe kjo do të thotë se do të duhen të paktën 100 takime parapërgatitore, proces që kërkon zakonisht një vit. Nëse fillojmë tani ka gjasa që ta mbyllim procesin qershorin e ardhshëm dhe të përballim vendet anëtare me rezultatet dhe propozimin. Ndaj gjasat janë që në fund të vitit 2019 të nisim negociatat”.
Kur do të nisë procesi i skanimit?
Hahn: “Menjëherë. Ky është një proces në vazhdim dhe ka të bëjë me kushtet klasike. Pra, të vazhdojë puna për ato çështje mbi të cilat është rënë dakord, në mënyrë që të shohim gjërat të ecin përpara. Puna për përmbushjen e prioriteteve duhet të vazhdojë, por nëse shohim kapitujt 23 dhe 24, ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe vettingun, që janë një pjesë e mozaikut. Por skanimi do të thotë që ne po e shohim të gjithë aspektin që ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe fazën ku ndodhet Shqipëria. Rrjedhimisht, për atë që është rënë dakord, për atë që duhet bërë dhe për atë që duhet të vazhdojmë dhe të presim deri vitin e ardhshëm. Pra, është një punë paralele”.
Bisedimet e COREPER dhe ato të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian mund të krahasohen me një ndeshje futbolli në këtë Kupë Botërore. Me një vend që kualifikohet në minutën e fundit, si Gjermania për shembull. Ishte pikërisht kështu me negociatat Ishin shumë të vështira dhe Franca dhe Holanda në veçanti nuk donin të ndryshonin pozicionin e tyre pasi konsideronin, se progres-raporti i Komisionit është tepër optimist, se kushtet nuk janë përmbushur dhe se nuk ka një gjurmë provash të bindshme. Si u ndjetë me këtë?
Hahn: “Si gjithmonë në jetë, mund t’i shohësh gjërat nga perspektiva e gotës gjysmëplot dhe asaj gjysmëbosh. Dhe 25 vende anëtare ishin fuqishëm pro vlerësimit të situatës në Shqipëri dhe Maqedoni nga perspektiva e gotës gjysmëplot. Dhe unë munda të bind gjithashtu francezët, holandezët dhe danezët se duhet të tregohen më të hapura dhe në fund arritëm atë që arritëm”.
Në mos gaboj është e para herë që shohim një afat të tillë, 1 vit për hapjen e negociatave dhe 1 vit e gjysmë për konferencën ndërqeveritare. Si do të sigurohet Komisioni që në atë moment Këshilli do të japë një rekomandim pozitiv?
Hahn: “Kemi patur qasje të ngjashme edhe ndaj Serbisë e Malit të Zi, kur përshkruam se çfarë duhet bërë për hapjen e negociatave, pasi është një punë parapërgatitore. Tani i takon qeverisë dhe forcave politike në Shqipëri të kuptojnë se procesi i skanimit nuk është diçka që mund të bësh nga sot nesër, por një proces shumë gjithëpërfshirës dhe periudha 1-vjeçare do të jetë një periudhë sfidash. Shpresoj se përkushtimi i forcave politike shqiptare ndaj perspektivës europiane do të stimulojë energjitë për të plotësuar atë çfarë është e nevojshme. Por sigurisht, kjo ka të bëjë edhe me ekzaminimin tonë për të ashtuquajturat pikat e referimit të hapjes së negociatave”.
Qëndrojmë pak tek momentumi. Duke parë skepticizmin e disa vendeve si Franca, Holanda dhe Danimarka, që deklaronin se nuk ishte momenti i duhur, se për zgjerimin duhej folur pas zgjedhjeve europiane. Si e patë këtë aspekt? Një taktikë për të fshehur populizmin?
Hahn: “Ndoshta kam një shkallë më të lartë tolerance kur bëhet fjalë për të gjetur një marrëveshje mes 28 vendeve anëtare pasi jam mësuar që për çështje të brendshme disa vende kanë qëndrime të ndryshme nga të tjerat. Por ajo që ka rëndësi është entuziazmi i shteteve anëtare që dy vendet, Shqipëria dhe Maqedonia, duhet të shpërblehen për atë që kanë bërë dhe mbaj mend se disa ministra dje u thanë të tjerëve se kanë vizituar Shqipërinë dhe se mund të konfirmonin se vendi ka bërë diçka të madhe për reformat tradicionale, që u miratuan me opozitën. Ky ishte një moment i madh jo vetëm për vendin por edhe për rajonin. Pamë për herë të parë një bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës, gjë që nuk ishte e lehtë. Por ishte një mirëkuptim i përbashkët për perspektivën e qytetarëve dhe duhet të bashkëpunonin për të gjetur një zgjidhje, të gjithë duhet të lëshonin pe. Kjo është diçka e cila u vu në dukje disa herë të martën dhe e komentuam me nota pozitive, përfshirë këtu rolin konstruktiv të opozitës. Natyrisht që ajo ka këndvështrime të ndryshme, por në fund të ditës e rëndësishme është arritja e një rezultati që përmbledh interesa të ndryshme. I referohem këtu sloganit të Bashkimit Europian: “Të bashkuar në diversitet”. Për mendimin tim, ky duhet të jetë sllogani i Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së”. /abcnews.al