Guardiola: Të jemi më cinikë përpara portës, Silva na dhuron diçka speciale

schedule09:17 - 25 Shkurt, 2021

schedule 09:17 - 25 Shkurt, 2021

Manchester City fitoi 0-2 sfidën e parë jashtë fushe ndaj M’Gladbach, rezultat që afron ekipin anglez me çerekfinalet e Champions League. Djemtë e Pep Guardiolës arritën fitoren e 19-të radhazi në të gjitha kompeticionet dhe të 12-tën radhazi në transfertë.

Trajneri spanjoll foli rreth triumfit kundër gjermanëve (Bernardo Silva dhe Gabriel Jesus autorët e golave), teksa ndalet edhe te ecuria fantastike e skuadrës së tij. “Në përgjithësi zhvilluam një ndeshje të mirë. E kontrolluam ndeshjen dhe M’Gladbach krijoi vetëm një rast në minutat e fundit.

Mëkat që u treguam pak cinikë përpara portës kundërshtare, humbëm disa raste dhe ky është një aspekt ku duhet të përmirësohemi. Në këtë turne nevojitet perfeksion për t’u kualifikuar në raundin tjetër. Bernardo Silva? Ai është një futbollist shumë inteligjent.

Kishim nevojë për mesfushorë ofensivë që do të sulmonin zonën kundërshtare, dhe Bernardo e bëri një gjë të tillë në mënyrë të shkëlqyer. I duhet të rrezikojë më pak në disa situata, por i shton diçka të veçantë stilit tonë të futbollit.

Ne favoritë për fitimin e trofeut? Nuk e besoj, sidomos duke parë ndeshjen që zhvilloi Bayern Munchen në Romë. Synimi ynë është t’i vendosim lojtarët në kushte e duhura për të shprehur gjithë potencialin që kanë.

Unë e kam mendjen tani tek West Ham. Nëse dikush na cilëson si favoritë për fitimin e Champions League, atëherë dakord, e pranojmë një etiketim të tillë“, përfundoi trajneri spanjoll i “Cityzens”. /abcnews.al